Kryetari i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Slavisha Bishevaq nga Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Qëllimi, siç raporton mediumi serb në Kosovë, Kossev, është të parandalohet marrja e detyrës nga kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, por kjo nuk do të kryej punë.
Bishevaq mori pozitën e kryetarit të Kuvendit Komunal në këtë komunë pasi serbët e veriut u larguan nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo iniciativë thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri “nuk janë organizuar në kushte demokratike”.
Siç raporton Kossev, Bishevaqit i është kërkuar ta thërrasë seancën e Kuvendit ku do të zyrtarizohet zgjedhja e kryetarit të ri, ndonëse është thënë se betimi do të bëhet me ose pa serbët.
Megjithatë, Bishevaq vendosi të japë dorëheqje me dëshirën për ta parandaluar marrjen e detyrës nga kryetari i ri.
“Dëshiruam që ta ndalojmë marrjen e detyrës nga kryetari i ri, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, i cili duhet ta thërrasë atë kuvend. Në këtë mënyrë duam të pengojmë që kryetari i ri të marrë detyrën në Zubin Potok, ku shumica absolute e popullsisë janë serbë”, thanë nga Iniciativa Qytetare.
Këshilltarët e Kuvendit Kumunal nga ky subjekt politik nuk kanë dhënë dorëheqje. Kanë thënë se do të dorëhiqen nëse zgjidhet zyrtarisht kryetari i ri.
“Dhe ata do të japin dorëheqje nëse zyrtarisht zgjidhet kryetari i ri, gjegjësisht nëse krijojnë shumicën dhe organizojnë një seancë të kuvendit pa ne”, thanë nga kjo iniciativë.