10.1 C
Mitrovice
E diel, 13 Prill, 2025
spot_imgspot_img

Gençoglu: Shpresoj që fitoren në Prishtinë ta kemi ruajtur për ndeshjen e pestë

Te Sigal Prishtina dhe te Trepça nuk mund ta paramendojnë humbjen në ndeshjen që e konsiderojnë “jetike”. Të dyja ekipet do të dalin në parket me synimin e vetëm, për ta fituar sfidën. Fitorja do të siguronte kalimin në finalen e plejofit, ndërsa humbja “ofron” fund jo të mirë të edicionit.

Ndeshja e pestë gjysmëfinale e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës luhet të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet. Rezultati është 2:2. Prishtina ka fituar dy ndeshjet si vendase e po ashtu Trepça i fitoi dy ndeshjet në shtëpi.

Ndeshja e pestë në fakt është dashur të luhej të enjten. Por palestra në Pallatin e Rinisë ishte e zënë me ndeshje të Kosovës në hendboll. Trepça refuzoi të luante të mërkurën e të premten, ndërsa Prishtina refuzoi të zhvendoset në palestrën “1 Tetori”. Në fund FBK-ja vendosi që ndeshja të shtyhet për të dielën. Ndeshja do të drejtohet nga dy arbitra të huaj. Për arbitrat ishin përplasjet e tjera mes dy prej klubeve më të mëdha në basketbollin kosovar.

Përplasjet ishin të shumta dhe atmosfera mes klubeve nuk është më miqësorja. Por të gjitha këto shpresohet se të dielën do të mbesin prapa. Shpresohet që përplasjet jashtë parketit t’i lënë vend spektaklit të basketbollit.

Prishtina do të ketë përkrahje të madhe nga tribunat, ndërsa Trepça beson në cilësinë e lojtarëve të saj. Cilësinë e ka edhe Prishtina, ndërsa sfida vendimtare pritet të jetë e fortë e dramatike nga fillimi e deri në fund. Fakti që skuadrat kanë tri ditë shtesë për të përgatitur ndeshjen vetëm mund të shkojë në favor të tyre.

Përkrahja nga tribunat do të jetë motiv shtesë për Prishtinën. Kështu ka vlerësuar kapiteni i ekipit prishtinas, Dardan Berisha, të premten. Ai ka thënë se tani është momenti që Prishtina ta tregojë forcën dhe t’i dëshmojë ambiciet për titull kundër një ekipi të fortë si Trepça.

“Përfundimisht do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, ndoshta më e vështira në këtë seri gjysmëfinale. Atmosfera do të jetë e zjarrtë dhe kjo na motivon edhe më shumë për ta kërkuar fitoren në shtëpi, për të vazhduar garën në finale. Nuk ka më kalkulime dhe këtë e kemi parasysh. Jemi të obliguar të japim 100 për qind nga vetja për t’u kualifikuar në finale”, është shprehur Berisha.

Prishtina nuk e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në basketboll prej vitit 2019 dhe nuk ka qenë në finale të plejofit që nga ajo kohë. Trepça është në kërkim të titullit të parë prej vitit 2012. Vitin e kaluar arriti në finale ku u mposht nga Golden Eagle Ylli.

Këtë edicion të dy skuadrat e kanë fituar nga një trofe në basketbollin kosovar, duke e mposhtur njëra-tjetrën në finale. Prishtina triumfoi në Superkupën e Kosovës, ndërsa Trepça u revanshua në garat e Kupës së Kosovës. Trepça e ka fituar edhe Superkupën Mbarëkombëtare.

Te Trepça kanë zgjedhur heshtjen para ndeshjes së pestë me Prishtinën. Më herët trajneri Engin Gençoglu ka theksuar se shpreson në fitore.

“Shpresoj që fitoren në Prishtinë ta kemi ruajtur për ndeshjen e pestë”, tha Gençoglu pas ndeshjes së kaluar në Mitrovicë.

Situata mes dy klubeve u tensionua të shtunën e kaluar, një ditë para ndeshjes së katërt në Mitrovicë. Sigal Prishtina përmes një komunikate kishte shkruar se ka parandaluar kurdisjen e ndeshjes me Trepçën, që ishte luajtur në kryeqytet. Ajo ndeshje ishte dashur të drejtohej prej dy arbitrave nga Greqia dhe një nga Kosova. Por në ditën e ndeshjes arbitrat grekë u larguan dhe u zëvendësuan me gjyqtarët vendorë. Sipas Prishtinës, në natën para ndeshjes një person i ka futur në veturë referët grekë duke u ka ofruar ryshfet për ta manipuluar ndeshjen në favor të Trepçës.

Mirëpo, Trepça ka garantuar se nuk është e përfshirë përkatësisht se është e “pastër si kristali”. Trepça ka kërkuar hetime. Ndërkohë, në një letër që kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ua ka dërguar anëtarëve të Bordit, mund të kuptohej që tentimi për kurdisje ishte më shumë i orientuar drejt përfitimeve ilegale përmes basteve sesa për të favorizuar njërën skuadër apo tjetrën. Kjo pasi arbitrave grekë u ishte thënë të ndikojnë në rezultatin e takimit apo të një çereku. Dhe këto akuza e dyshime u pasuan me mospajtimet për terminin e ndeshjes.

Në finale ka kohë që po pret Peja, që me rezultatin 3:1 e eliminoi Golden Eagle Yllin.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT