30 për qind e punëtorëve të këtij sektori kanë pagat nga 301 deri 400 euro, ndërsa 23 për qind kanë pagat 201 deri 300 euro. Janë vetëm 1 për qind e punëtorëve në sektorin privat që përfitojnë mbi 1 mijë e 500 euro. E këto të dhëna duken edhe më shqetësuese marrë parasysh krizën me rritjen e çmimeve.
Kështu thuhet në një raport të Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS, ku ndër të tjera theksohet se pagat në sektorin privat mbesin të njejta teksa ato në sektorin publik, me miratimin e Ligjit për Paga, kanë shënuar rritje.
“Në vazhdën e diskutimeve mbi Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit, të ardhurat në sektorin privat mbesin të njëjta. Dominuese mbetet paga 301€ – 400€ të cilën e përfitojnë 30% e punëtorëve, duke vazhduar me 201€ – 300€ që e përfitojnë 23% e punëtorëve. Më pak se 100€ dhe mbi 1500€ përfitojnë vetëm 1 % e punëtorëve.” – thuhet në këtë njoftim.
Përveç ankesave për kushte jo të mira të punës, punëtorët e sektorit privat vazhdojnë të mbesin me paga të njëjta për dallim nga sektorit publik.
Me miratimin e Ligjit për Paga, punëtorët e sektorit privat kanë kërkuar që pagat të rriten edhe për ta.
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, menjëherë pas përcaktimit të koficientit kishte shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të qeverisë.
Ai kishte thënë se me këtë koeficient prej 105 eurosh janë stimuluar punëtorët që kanë paga prej 700-800 eurosh, e jo ata që kanë paga prej 200 eurosh.
“Ne u goditem haptazi nga pakoja e luftimit te inflacionit, Qeveria duke e ditë qe punëtoret e sektorit kanë 3 herë paga me te vogla, ndau mjete për ata te sektorit publik dhe jo ata privat, punëtoret janë shume të zhgënjyer, neve na qiti në cilësinë e lëmoshës, është stimuluar punëtori që merr 700- 800 euro paga e jo ai që merr 200 euro.” – kishte deklaruar ai.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekruan Murati, kishte thënë se praktikën e qeverisë për rritje të pagave duhet ta ndjekin edhe sektori privat.
Ai kishte thënë se qeveria nuk mund t’i rris pagat në sektorin privat.
“Rritja e pagave si e tillë, sepse shpesh dëgjojmë se qysh Qeveria nuk po i rrit pagat në sektorin privat, paga në sektorin privat rritet nga punëdhënësi. Unë si ministër kam bërë thirrje që punëdhënësit në sektorin privat t’i rrisin pagat sepse ka mundësi që t’i rrisin pagat dhe kam thënë se në si Qeveri do t’i mbështesim ata që rrisin pagat. Rritja e pagave vjen nga punëdhënësi.” – kishte thënë ai.
Po ashtu, ministri Murati ka thënë se paga mestare në sektorin publik është gati dyfishi i pagës mesatare në sektorin privat
Të dhënat e ASK-së
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosoëvs (ASK) pagat në sektorin publik në vitin 2021 u rritën prej 176 euro, teksa në sektorin privat pati rritje vetëm prej 34 eurove.
Sipas ASK-së, “në vitin 2021, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 484 Euro, derisa në vitin 2020 ishin 466 Euro. Pra, kishte një rritje prej 18 Eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2021 ishte 432 Euro, krahasuar me vitin 2020 që ishte 416 Euro, një rritje prej 16 Eurosh në vitin 2021.”
“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2021 ishte 612 Euro, duke u rritur për 205 Euro, ndërsa, paga mesatare neto nga 366 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 542 Euro në vitin 2021. Një rritje prej 176 Eurosh.” – thuhet në raport.
Ndërkaq në sektorin privat pagat sipas ASK-së pagat u rritën vetëm prej 34 euro.
“Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2021 ishte 419 Euro, derisa në vitin 2020 ishte 380 Euro. Pra, kishte një rritje prej 39 Eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto në vitin 2021 ishte 376 Euro, krahasuar me vitin 2020 e cila ishte 342 euro. Pra, një rritje prej 34 Eurosh.” – thuhet në raportin “Nivelin e Pagave në Kosovë” për vitin 2021.
“Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.” – thuhet po aty.
Kujtojmë se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2023 me muajin janar 2022 ishte 12.1%./Nacionale/



