Një konflikt politik i papritur ka shpërthyer në Kosovë, ai mes LDK-së dhe PSD-së. Së fundi ka reaguar edhe aktivisti Bardh Ahmeti duke e sharë kryetarin e partisë më të vjetër parlamentare në Kosovë.
Abdixhiku i pyetur për një front opozitar të përbashkët, u shpreh se “LDK-ja nuk ka lidhje me PDK-në e AAK-në, e aq më pak me ndonjë parti joparlamentare” që nënkuptueshëm ishte PSD-ja.
Kjo e provokoi një goditje të rëndë dje nga Molliaj, që e quajti të kompleksuar Abdixhikun dhe se po i shtronte rrugën për ta formuar Asociacionin.
E hiç më i butë nuk është treguar së fundi as aktivisti Bardh Ahmeti që është shprehur se kryetari i LDK-së po shdërrohet në “shërbëtor të pushtetit”.
“Kur e sheh mbështetjen e vazhdueshme të tij për Kurtin, ndërsa qasjen agresive ndaj opozitës, e kupton se Lumiri më shumë se opozitar, është shndërru në shërbëtor të pushtetit.”
Në fakt, Abdixhiku nuk e ka mbështetur vazhdimisht Kurtin siç thotë z. Ahmeti. Ai së fundi në një intervistë pati goditje shumë të ashpra ndaj tij duke e akuzuar për keq-qeverisje në shumë fusha.



