Një person është gjetur i shtrirë pa ndjenja në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, për të cilin, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është pjesëtar i misionit të KFOR-it. Indeksonline më pas, ka raportuar se i njëjti, ka vdekur pasi dyshohet sa pësuar infarkt.
Zëdhënënsi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i tha Nacionales se për rastin janë njoftuar rreth orës 15:20.
“Sot rreth orës 15:20 Policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se një pjesëtar i KFOR-it, në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, mbi hotelin “Molika”, është i shtrirë pa ndjenja.” – ka thënë ai.
Tutje, Veseli na tha se ekipet e emergjencës kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë ofruar ndihmën e parë mjekësore, ndërsa shumë shpejt pritet që të arrijnë edhe ekipet emergjente të KFOR-it.
“Ekipet e Emergjencës kanë arritur shpejtë në vendin e ngjarjes dhe i kanë ofruar ndihmën e parë mjekësore dhe është nën përkujdesje mjekësore. Janë njoftuar edhe ekipet emergjente të KFOR-i të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes.” – tha ai.



