7.1 C
Mitrovice
E mërkurë, 8 Prill, 2026

A është kërcënim për Qeverinë Kurti deklarata e Escobarit për “partnerë të rinj” për Asociacionin

Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe vazhdon të mbetet një ndër kërkesat kryesore për Qeverinë e Kosovës. Tashmë kjo gjë po përsëritet mjaft shpesh edhe nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar në paraqitjen e tij të fundit por edhe në paraqitje të tjera, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të fillojë menjëherë punën për formimin e Asociacionit.

Në deklaratën e tij të fundit, ai ‘kërcënoi’ se do të gjenden “partnerë të rinj” në diskutim për themelimin e Asociacionit.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, ka thënë Escobar në një intervistë për REL.


Çka nënkupton “partnerë të rinj”?

Se çfarë mund të nënkuptohet me deklarimin e Escobarit për partnerë të rinj për themelimin e Asociacionit, Nacionale ka biseduar me opinonistin, Imer Mushkolaj.

Bashkëbiseduesi i Nacionale, theksoi se deklarata e tij më shumë mund të shihet si një “kërcënim” ose si përpjekje që Qeveria të bëjë hapat e parë për themelimin e Asociacionit.

“Si një lloj “kërcënimi” ose një lloj përpjeke të SHBA-ve që përnjëmend Qeveria të marrë masa për fillimin e themelimit të Asociacionit sesa si një mundësi që ata që Escobar që i ka quajtur partnerë alternativë të provojë të bëjë diçka sepse marrëveshja për Asociacionit e përcakton qartë rolin e Qeverisë.”

“Në diskutimin për Asociacionin mund marrin pjesë edhe akterë tjerë, si shoqëria civile etj. por deklarata më tepër ka pasë të bëjë më vendosshmërinë e SHBAve që ka ardhë koha që Qeveria të nisë procesin për themelimin e Asociacionit.”, ka thënë ndër të tjera Mushkolaj.

I pyetur se kush mund të jenë këta partnerët e rinj, Mushkolaj ka thënë se edhe nëse ata janë politik, duhet të kujtohet se nuk e kanë formuar Asociacionin deri më tani.

“Nuk e kam ide se kush mundet me qenë tjetër partnerë alternativë, gjithmonë duke pasur parasysh rolin e Qeverisë në krijimin e këtij organi. Të gjithë ata akter të rinj “politik” potencial, duhet me pasë parasysh që edhe opozita e tanishme ka qenë në pushtet prej 2013 dhe se nuk e kanë formuar Asociacionin.”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërkaq, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, ka thënë se deklarimet e emisarit Escobar e kanë heshtur kryeministrin Kurti.

“Escobari e la të heshtur Kurtin”, ka shkruar Tahiri në Facebook.


Për këtë deklaratë deri më tani nuk kemi parë ndonjë reagim nga Qeveria Kurti. Por të heshtur nuk kanë qëndruar vartës të Vetëvendosjes.

Enis Sulstarova, themelues i degës së LVV-së në Shqipëri, ka thënë se VV e Qeveria Kurti nuk e pranojnë “Zajednicën” dhe se Escobar t’i gjej në Kosovë ata që e duan Asociacionin.

“Zajednicen nuk e pranojne LVV, qeveria Kurti, GjKK, shumica parlamentare, populli ne pergjithesi, sektore e organizata te shoqerise civile. Ata qe e duan ne Kosove le t’i gjeje Eskobari se kush jane”, ka shkruar Sulstarova në Facebook.

Përveç tij edhe anëtarë të tjerë të VV-së kanë kundërshtuar kërkesën e Escobar për themelimin e Asociacionit.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka deklaruar se nuk do të ketë themelim të Asociacionit. Bile shpeshherë ai ka “qortuar” gazetarët kur e kanë pyetur atë se a do të formohet Asociacioni.

Mbetet të shihet se si do të veprojë Qeveria e Kosovës ndaj kërkesave amerikane për themelimin e Asociacionit.

TË FUNDIT

TË FUNDIT