Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë detaje për përmbajtjen e planit franko-gjerman që i është propozuar Kosovës e Serbisë.
Për Konjufcën, Kosova e ka problem që t’i thotë jo këtij plani teksa shtoi se momenti i parë kur e ka parë planin ishte muaji shtator dhe se që nga atëherë është duke i matur të mirat dhe pasojat e tij.
“Baza e tij është një bazë e shëndosh për ecje përpara për arsye se aty është neni 2 i kësaj marrëveshje që është thelbi i kësaj marrëveshjeje. Ky plan ndërtohet mbi tri principe, është e drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe është e drejta e palëve për vetëvendosje”, është shprehur Konjufca në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se disa pjesë të këtij plani tashmë janë bërë publike edhe nga kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj.
Konjufca tha se esenca e këtij plani është që Serbia të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës.
“Tash kur po e sheh që Serbia po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare, më të fuqishme evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan, i cili në thelb nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heq dorë ndaj pretendimet e saj ndaj Kosovës”, tha Konjufca.
I pari i Kuvendit thotë se Kosova nuk e ka luksin të refuzojë planin e tillë. /gazetametro.net