Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka thënë se ka informacione të një mobilizimi të paparë më herët të grupeve kriminale në veri të Kosovës.
Ai një gjë të tillë e ka thënë në ‘Facebook’-un e tij, duke thënë se mobilizimi po bëhet në bashkëpunim me Listën Serbe, ku do të organizohen protesta dhe barikadimeve që nga nesër, shkruan lajmi.net.
“Si rezultat i vendimeve të njëanshme dhe të pa matura nga Qeveria, situata në veri të Kosovës është tensionuar. Sipas informacioneve, grupet kriminale në këtë pjesë janë mobilizuar si kurrë më parë, ashtu që në bashkëpunim edhe me Listën Srpska janë duke u mobilizuar që nesër të organizojnë protesta dhe barikadime në veri, për të cilat veprime vetëm po presin urdhërin nga Beogradi zyrtar”, ka deklaruar ai.
“Ambasadat e shteteve të Kuintit e kanë zvogëluar bashkëpunimin me Qeverinë e cila po vepron njëanshëm, pa pasur fuqinë që t’i ndalojnë veprimet e paligjshme në veri kurse siç po lëvizin gjërat, veriu i Kosovës po shkon larg nga kotrolli i Institucioneve sovrane të Kosovës”, përfundon deklarimi i tij në ‘Facebook’. /Lajmi.net/