Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së Rrahman Jasharaj, ka folur rreth deklaratës të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se sindikalistët i takojnë PAN-it dhe se ata kanë “inat antiqeveritar”.
Jasharaj që është edhe kryesindikalist i arsimit tha për Klankosova.tv se deklaratat e Kurtit janë të pamatura. Ai theksoi se brenda sindikalistëve ka të tillë që e votojnë Vetëvendosjen, LDK-në, PDK-në, AAK-në etj.
“Deklaratat e z.Kurti janë tejet të pamatura. Ai vazhdimisht bën këso deklarata, ky është me të, ai është me atë. Ai do të duhej të thërriste në takim Këshillin Grevist dhe të diskutonim lidhur me ofertën dhe gjetjen e një zgjidhje për daljen nga situata” – tha ai.
“Ne kemi shumë anëtarë që janë në grevë, përveç arsimit në grevë janë edhe shërbyesit civilë por edhe nga sektorë të tjerë. Albin Kurti, e di se brenda grevistëve ka nga ata që e votojnë Vetëvendosjen, LDK-në, PDK-në AAK-në. Ka edhe nga komuniteti boshnjak që janë në grevë dhe që i votojnë partitë e tyre” – theksoi Jasharaj.
I pari i SBASHK-ut shtoi se kanë qenë në pritje të ftesës për takim nga ana e qeverisë gjatë së shtunës dhe së dieles por kjo nuk ka ndodhur.