20.6 C
Mitrovice
E hënë, 18 Gusht, 2025
spot_imgspot_img

Kurti u kërkoi dorëheqje deputetëve që nuk përkrahën martesat e seksit të njëjtë

Muajin e kaluar, Kuvendi i Kosovës nuk i dha dritën e gjelbër Projekt-Kodit civil që parashihte bashkësitë civile të seksit të njëjtë. Si kurrë më parë, në “odën e popullit” u shpërfaqën dallime në qëndrime rreth çështjes së bashkëjetesave për homoseksualët.

E më së shumti përplasje pati brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, të cilët u ndan në dysh, në përkrahës dhe kundërshtarë të bashkëjetesave në fjalë. Në fund, deputetët kundërshtuese ia dolën të stopojnë këtë nismë ligjore të Ministrisë së Drejtësisë.

Por, çarja ishte e madhe. E duket se edhe gati një muaj pas mos-votimit të Kodit Civil, dridhjet tektonike po vazhdojnë të vërehen.

Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili si kryeministër ftoi të përkrahet Kodi Civil dhe bashkëjetesat e seksit të njëjtë, duket se i ka mbetur hatri në ‘rebelimin’ e deputetëve të tij.


Mësohet se tashmë Kurti ka filluar të trajtojë personalisht ‘skizmën’ ideologjike brenda partisë së tij.

Javën e kaluar, Kurti ka takuar veç e veç disa prej deputetëve që i dolën kundër gjatë votimit të Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës.

Në takim, Kurti gojarisht u ka takuar dorëheqjen nga postet që mbajnë brenda Vetëvendosjes me arsyetimin se gjuha e përdorur gjatë diskutimeve në seancë ishte e papranueshme.

Burimet e afërta me kryeministrin Kurti kanë theksuar se lideri i VV-së ishte i ashpër gjatë takimeve duke u kërkuar në mënyrë direkte dorëheqjen. Madje, burimet thonë se Kurti ishte i prerë në raport me deputetët e tij, të cilët nuk e votuan Kodin Civil.

Ashpërsia e Kurtit është reflektuar edhe në hapin tjetër që ndërmori pas takimit.

Kërkesën e bërë ditë më parë gojarisht, Kurti u ka dërguar edhe në formë të shkruar tre deputetëve që mbajnë pozita ose që synojnë të fitojnë pozita në procesin e zgjedhjeve të brendshme të VV-së.

Ende nuk dihet nëse tre deputetët e VV-së do të japin dorëheqje nga pozitat që mbajnë në parti siç u ka kërkuar Kurti.

Po ashtu, nuk dihet nëse ata do t’i binden Kurtit për të mos garuar për poste brenda VV-së në zgjedhjet që ende po vazhdojnë.

Mes këtyre emrave që ka siguruar gazeta Nacionale janë: Valon Ramadani, Visar Korenica dhe Nijazi Isaku.

Tutje, burimet bëjnë me dije që edhe zgjedhjet brenda VV-së po zhvillohen nën tendencën për të ‘pastruar’ elementët që nuk përkojnë me qëndrimet liberale të partisë së Kurtit.

Në muajt e fundit, si pasojë e përplasjeve për tema të ndryshme, Kurti po synon të mbajë larg deputetët apo aktivistët që kanë prapavijë myslimane, thonë burimet.

Madje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk përtoi të akuzojë deputetët me ngjyrime fetare si ‘fraksion’ gjatë një debati të zjarrtë brenda grupit parlamentar të VV-së rreth Kodit Civil. Haxhiu u tha atyre se po veprojnë si grup në kundërshtim të nismës ligjore.


E për shkak të debatit që ngjalli kjo akuzë, u nevojit edhe ndërhyrja e kryeministrit Kurti për të relaksuar gjakrat.

Në fund, debati u mbyll pa ndonjë unitet në mendime.

Mes deputetëve të Vetëvendosjes kundërshtues të Kodit Civil kishin qenë Eman Rrahmani, Valon Ramadani, Visar Korenica, Labinotë-Demi Murtezi, Gramos Agusholli, Driton Hyseni, Gazmend Gushinca, Fitim Haziri dhe Fjolla Ujkani.

E kjo u pa edhe gjatë votimit në Kuvend, ku më shumë se 10 deputëtë të VV-së votuan kundër Kodit Civil.

Për më shumë, disa prej deputetëve folën publikisht kundër nismës ligjore të Qeverisë Kurti.

Kujtojmë që Kodi Civil fliste për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet sekseve të njëjta duke theksuar se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Ministria e Drejtësisë e ka bërë të qartë se Kodi Civil do të rikthehet përsëri në votim.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT