Një vjedhje e rëndë që ndodhi dje në një shtëpi në fshatin Sferkë të Klinës u raportua në stacionin policor në Klinë nga pronari i shtëpisë. I njëjti e denoncoi rastin në Polici dhe deklaroi se hajnat i vodhën para të gatshme dhe stoli ari. Por kjo doli të jetë lajmërim i rrejshëm pasi vjedhjen e rëndë e kreu vet pronari i shtëpisë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje se si i dyshuari e pranoi se ka vjedhur gjërat me vlerë nga shtëpia e tij.
Pronari i shtëpisë sot është intervistuar nga Njësia e Hetimeve në Polici për të marrë deklaratën e tij lidhur me rastin që e denoncoi para një ditë. Gjatë dhënies së deklaratës, ai e zbuloi vet se kush ishte hajni që kreu vjedhjen në shtëpinë e tij.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë intervistimit, i dyshuari e pranoi para hetuesve policorë se vjedhjen e stolive të arit dhe të parave të gatshme e kishte kryer vet dhe më pas e kishte denoncuar rastin në Polici, gjoja se dikush ia bëri “qyl” shtëpinë.
Paratë dhe gjërat me vlerë që i vodhi ai deklaroi se do t’i dorëzojë në Polici dhe do të bashkëpunojë me zyrtarët policorë.
Për ngjarjen që e kishte raportuar rrejshëm në Polici, Sinjali mëson se është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë”.
Sinjali pas pak do të sjellë detaje të reja lidhur me këtë rast.
/GazetaSinjali/