-1 C
Mitrovice
E martë, 26 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

Hoxhaj i bindur se vizat hiqen pas zgjedhjeve në Francë

Dialogu është në një qorrsokak dhe është mjaft e rrezikshme për Kosovën meqë në kontekstin ndërkombëtar do të ishte urgjente arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kështu ka thënë ish-ministër i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, shtetndërtimi i Kosovës mund të përmbyllet vetëm përmes anëtarësimit në OKB, prandaj ai thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej ta sjellë një platformë në Kuvend se çka mund të arrihet në dialog.

“Dialogu realisht ka hyrë në një qorrsokak sikurse e ka thënë edhe Josef Borrell. Dhe unë mendoj që kjo është e rrezikshme për Kosovën meqë në kontekstin ndërkombëtar në të cilin ne po jetojmë do të ishte urgjente arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë jo për interesa të Serbisë, por për interesin tonë për ta përmbyllur shtet ndërtimin e Kosovës”.

“Shtetndërtimi i Kosovës mund të përmbyllet vetëm atëherë kur Kosova anëtarësohet në OKB dhe në situatën aktuale Qeveria e Kosovës do të duhej ta sjellë një platformë në Kuvend se çka mund të arrihet në dialog dhe dialogu duhet të jetë për njohje të ndërsjellë dhe jo për tema teknike sikurse po ndodh ditëve të fundit në Bruksel”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për EO.

Se kur do ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën, Hoxhaj thotë se sapo të përfundojnë zgjedhjet në Francë, që do të mbahen në fund të muajit të ardhshëm, duke shtuar se i mbetet ekzekutivit që të loboj te qendrat kryesore evropiane.

“Jam mëse i sigurt se sapo të përfundojnë zgjedhjet në Francë do të ndodh një vendim pozitiv. Por Qeveria do të duhej të lëviz në qendrat kryesore të Bashkimit Evropian qoftë në Berlin, qoftë në Paris qoftë në Vjenë por edhe në Bruksel që të bisedojë për atë që kur do të kishte mundësi që një vendim të merret prej Komisionit Evropian meqë Parlamenti Evropian ka vendosur shumë më herët pozitivisht për Kosovën”.

Sipas deputetit të PDK-së, çdo Qeveri e përgjegjshme do të mund të siguronte njohje të reja Kosovës, tani kur Serbia po izolohet ndërkombëtarisht.

Sipas tij, Qeveria në krye me Albin Kurtin, sipas tij ka hequr dorë nga politika e jashtme.

“Njohja ndërkombëtare e Kosovës duhet të jetë prioritet. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare duhet të jetë prioritet, vendosja e ambasadave duhet të jetë prioritet por qeveria ka hequr dorë nga politika e jashtme dhe ka hequr dorë për të lobuar për të rritur numrin e shteteve të cilat duhet ta njihnin Kosovën. Jam e sigurt që çdo qeveri e përgjegjshme do të mund t’ia siguronte Kosovës njohje të reja tani kur Serbia po izolohet ndërkombëtarisht”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, foli edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke theksuar se deri më tash Qeveria i ka ikur një teme të tillë.

“Mendoj që kjo është një çështje që duhet ta trajtojë qeveria e Kosovës me seriozitet. unë deri më tash kam parë qëndrime sa për të dhënë një artikulim të qasjes në raport me mediet, por Qeveria e Kosovës duhet të shoh modalitete sesi duhet të trajtohet kjo çështje. Deri më tash Qeveria i ka ikur një teme të tillë dhe po bënë përpjekje që ta shtyjë një narracion, i cili ka përmbajtjet e referendumit dhe pres nga Qeveria që të dalë me një qartësi të tillë”.

“Se çfarë qëndrimi ka pasur PDK-ja e kemi parë sa kemi qenë në Qeveri dhe sot nuk mendoj që për neve do të ishte politikisht korrekte që për shkak të asaj që jemi në opozitë papritmas të ndërtojmë një qëndrim, i cili do të ishte larg realiteti, por i takon Qeverisë së Kosovës që ata ta marrin vendimin dh eta thonë qëndrimin publikisht”.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT