Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ishin cak i disa sulmeve kibernetike gjatë ditës së djeshme por edhe sot.
Kjo është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka thënë se nga këto sulme kibernetike nuk është shkaktuar ndonjë dëm.
“Institucionet e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme janë atakuar nga sulmet kibernetike, kryesisht të llojit ‘Phishing’, por të përmasave të vogla.”, thuhet në përgjigje të MPB’së për mediat.
Metro ka siguruar edhe e-mailin i cili u është dërguar punëtorëve si ‘Phishing’.
Ndryshe Qeveria e Kosovës vitin e kaluar kishte marr vendim për ngritjen e kapaciteteve për mbrojte nga sulmet kibernetike nëpër institucione.
“Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin ka obliguar të gjitha institucionet publike në Republikën e Kosovës që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (ASHI/MPB), për zhvillimin e sistemeve elektronike dhe integrimin e tyre në infrastrukturën dhe platformat qendrore të sistemeve të informacionit në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhej në vendim.
Pas këtij e-maili që u ishte dërguar punëtorëve, ka qenë ASHI ajo që ka paralajmëruar ata për këtë sulm kibernetik.
MPB gjithashtu sot në një përgjigje për mediat ka thënë se se me datën 26 shkurt 2022 ka ndodhur një sulm kibernetik me përmasa më të mëdha.
“Ndërsa më datën 26-02-2022 ka ndodhur një sulm kibernetik i llojit “ phishing” me përmasa më të mëdha, por që edhe ky sulm kibernetik nuk ka bllokuar apo dëmtuar informacione apo të dhëna”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kujtojmë që në maj të vitit të kaluar, Metro kishte raportuar ekskluzivisht edhe për një sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të kryeministrisë së Kosovës. /gazetametro.net