Bashkimi familjar në Gjermani aktualisht paraqet shumë probleme. Por planet e koalicionit të ri qeveritar gjerman pritet të çojnë në zvogëlimin e kohës së pritjes për marrjen e vizës.
Që nga hyrja në fuqi e Rregullores së Ballkanit Perëndimor, mijëra punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë gjetur punë e kanë filluar një jetë të re në Gjermani.
Si rregull pas dy vjetësh, por edhe në varësi të llojit të lejes së qëndrimit në Gjermani, ata mund të bashkohen me familjet e tyre.
Sigurisht për këtë duhet të plotësohen disa kritere, si psh të ardhurat e mjaftueshme, të rregulluara në bazë kategorish nga ligjëvënësi, të cilat do të mundësonin që bashkëshorti/ja e fëmijët apo të tjerë të kishin një jetesë normale nga rroga e familjares apo familjarit që fiton të ardhurat. Edhe gjuha në nivele të caktuara kërkohet ndër kriteret e tjera për arritjen e bashkimit familjar në Gjermani.
MPJ: Do të ketë lehtësime për procedurën e vizave për bashkimin familjar
Ministria e Jashtme e Gjermanisë është e vetëdijshme për këto vonesa. Në një prononcim të fundit për DW, zyra e shtypit thotë, se në dy vitet e fundit për shembull në ambasadat e Beogradit dhe Prishtinës është arritur që të reduktohen kohët e pritjes për viza për bashkimin familjar.
Kurse në ambasadat në Sarajevë, Shkup dhe Tiranë kohët e pritjes për një orar për aplikimin për bashkim familjar edhe më tej konsistojnë në 6 muaj dhe deri në 9 muaj.
“Ministria e Jashtme punon me intensitet që të rrisë kapacitetet e përfaqësive të huaja jashtë për pranimin e kërkesës për vizë dhe përpunimin e saj, me qëllim të uljes së kohës së pritjes. Por përpjekjet aktuale vështirësohen edhe për shkak të situatës së vazhdueshme të pandemisë dhe me masat që lidhen me mbrojtjen e punonjësve dhe vizitorëve.
Krahas masave organizuese në marrëveshjen e koalicionit janë parashikuar edhe lehtësime të tjera për procedurën e vizave për bashkimin familjar, të cilat pas zbatimit mund të çojnë po ashtu në zvogëlimin e kohës së pritjeve.”
/GazetaSinjali/