Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëbotë lider opozitar, konsideronte se shumë qytetarë si shkak i, siç preferon ta quaj ai, zhvatjes, po kalonin ditë të gjata pa bukë. Megjithatë, për këtë çështje, Kurti duket se ka ndryshuar deklaratat, duke thënë se qytetarët po kanë të shpenzojnë.
Lideri i atëbotshëm opozitar në një urim për muajin e Ramazanit, derisa fliste për barazinë në shoqëri, thoshte se “zullumi e zhvatja” po shkakton që qytetarët të mbesin pa bukë për ditë të gjata.
“Kur perëndon dita, mbrëmja është ajo që e shuan urinë dhe e fashit etjen. Por, jo të gjithë kanë mbrëmje. Shumë nga populli ynë po kanë vetëm ditë të gjata pa bukë. Mbrëmja për ta do të vijë kur të perëndojnë zullumi e zhvatja. Atëherë do të vijë edhe buka”, shkruante tashmë kryeministri Kurti.
“Buka e cila sakrifikohet çdo ditë për një muaj, është po ajo që përbashkon në mbrëmje. Disiplinë e sakrificës në bashkësi të solidaritetit, për ditë jomateriale dhe darkë barazimtare. Për pastrim zemrash, kthjellim mendjesh, lartësim shpirtërash. Për karakter më të vendosur e më të përkushtuar për ndryshim e përmirësim. Për ekuilibër mes anës fizike dhe shpirtërore”, thuhej më tej në postimin e tij.
Megjithatë, pas gati tre vitesh, Kurti ka filluar t’u bie në qafë qytetarëve se po shpenzojnë, sepse siç thoshte ai, po qëndrojnë mirë financiarisht të shpenzojnë.
Përgjatë një fjalimi në Kuvend, duke folur për rritjen e konsumit dhe shpenzimeve në raport me varfërinë e skamjes, mori të flas pak edhe për qytetarët.
“Njerëzit shpenzojmë vetëm pse ata kanë të shpenzojnë. Ka edhe një arsye tjetër pse ata shpenzojnë. Ata shpenzojnë kur besojnë që vazhdojnë të kenë përndryshe nuk shpenzojnë”, deklaroi dje kreu i ekzekutivit.
“Ata më parë shpenzojnë sesa kursejnë kur kanë shpresë, kur besojnë se e ardhmja është më e mirë se e tashmja”, thoshte më tej shefi i qeverisë.
Kurti po pretendon në vazhdimësi se vendi ka pësuar ngritje ekonomike që prej ardhjes së tij në qeverisje. Megjithatë, ai përgjatë të njëjtit fjalim në Kuvend tha se pagat nuk mund të ndjekin trendin e rritjes ekonomike. /Lajmi.net/