Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës për shtrenjtimin e rrymës.
Ai ka thënë se ndonëse qeveria konstatoi të kundërtën, humbës të mëdhenj në këtë situatë do të jenë sipërmarrësit, shkruan lajmi.net.
“Sot ja vlen më ba një kërkesë Qeverisë që ta shfuqizojë këtë vendim të ZRRE-së për një kohë të pacaktume. Shumë po mendoni se kanë shpëtu sipërmarrësit nga rritja e çmimit. Kur hyn në fuqi liberalizimi i tregut, ata kanë me pësu shumë keq sepse nuk ka shumë operatorë në treg”, ka thënë Haradinaj.
Tutje, Haradinaj ka thënë se Kurti po ankohet tek përkrahësit e tij se “po shpërthejnë minat e kurdisura nga qeveritë e kaluara”.
“Jo veç për faktin që i keni marrë 50%. Është e vërtetë që opozita i ka disa të drejta edhe kur ka më pak përqind. Qeveria Kurti është mashtrim dhe nuk pres ta pranoni, mirëpo ju jap disa argumente. Në vazhdimësi e dëgjojmë Kurtin duke thanë përkrahësve të vet që pom shpërthejnë minat e kurdisuna të qeverive të kalume. A e dini se çka do të thotë kjo: Si një komandant që i thotë ushtrisë së vet po e mysim veten me këto mina që na i kanë lanë këto para nesh”, tha Haradinaj.
Tutje, ai hodhi dyshime se Vetëvendosje, po krijon fonde të zeza.
“Për shembull, ky e ka dit kush ka qeveris me Kosovën që 20 vjet dhe e ka bë analizën dhe njëra prej tyre ka qenë gjendja me energji. Ku janë ato analiza sot, ku janë ata njerëz që i kanë bërë analizat atëherë. 100 milionë pare të Kosovës shkun në subvencion. Nëse kanë shku 100 milionë, pse po ngritet çmimi? Pse ky kryeministër nuk po duron deri në vjeshtë, deri në dimën tjetër? Unë po ju pyes mos jeni tu kriju fonde të zeza. Ju jeni ka çoni pare te ata që shesin e blejnë energji. Ne e kemi dëgju këtë(fonde të zeza) nga ju”, tha Haradinaj.
“Ju keni thanë se si të heket UÇK-ja, kanë me na e dhanë liberalizimin. Ku është liberalizimi? Ku jeni? Çka ju tha ambasadorja e Francës?”, tha në fund Haradinaj. /Lajmi.net/