Një person armatosur mbrëmjen e sotme ka tentuar të kryejë një grabitje në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, por ai ka dështuar pasi ka hasur në rezistencë fizkike të pronarit.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se rreth orës 17:30 është raportuar për një tentim grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën ‘Ali Vitia’ në Prishtinë.
“Policia ka dalë në vendin dhe nga hetimi preliminar është konstatuar se nuk është arritur të kryhet grabitja, ndërkaq i dyshuari në ikje e sipër ka shkrepur armën me gaz dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Sipas zëdhënëses Ahmeti, lëndime (gërvishje) nga kontakti fizik me të dyshuarin ka pësuar ankuesi.
“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe ka nisur me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit”, ka thënë Ahmeti.