Sindikata e Policisë së Kosovës tashmë është duke mbledhur informacione dhe fakte lidhur me suspendimin prej tri ditësh të policit Amir Hoxha, pasi ky i fundit publikisht ka ngritur zërin për mos pagesën e orëve shtesë dhe shujtave për policët, derisa në anën tjetër deputetëve të Kuvendit ju kompenzohen paratë edhe për naftën e harxhuar.
Kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri ka thënë për Gazetën Express se ende nuk kanë kontaktuar me zyrtarin policor për të ditur se kush e ka suspenduar atë.
“Jemi duke i grumbulluar disa informacione të sakta. Ende nuk kemi arritur që të kontaktojmë me kolegun dhe të shohim se nga i ka ardhur suspendimi dhe jemi duke u konsultuar me Këshillin Drejtues të Sindikatës”, ka thënë Zeqiri.
Ai tha se për sindikatën është shqetësuese çdo shkelje e të drejtave të zyrtarëve policorë.
“Është shqetësuese çdo shkelje e të drejtave të zyrtarëve policor. Sindikata është e shqetësuar. Duhet që t’i grumbullojmë disa gjëra që të dimë arsyet pse ka ndodhur suspendimi. Shqetësim është, ekziston. Ne do të jemi jo vetëm në këtë rast por në të gjitha rastet ku konsiderojmë dhe konstatojmë se u është bërë e padrejtë policëve, do të jemi në monitorim të rastit”, ka thënë ai për Express.
Në ndërkohë Inspektorati Policor i Kosovëska dal sot me një komunikatë për media e ku kanë thënë se ata nuk kanë dhënë rekomandim për suspendimin e policit Hoxha.
Në reagimin e IPK-së thuhet se ai është suspenduar nga Policia e Kosovës.
“Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës. Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj”, thuhet në njoftim.