“Gjendja e tanishme e ngrirë, status quo, në Dialog nuk po funksionon. Eksodi i vazhdueshëm i të rinjve kosovarë po vazhdon. Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme për njëra-tjetrën. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Në mënyrë urgjente të arrihet marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë”, këto janë mesazhet që i përcjellë Gabriel Escobar, i dërguari i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e cenon sovranitetin e Kosovës. Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, thotë se çdo marrëveshje përfundimtare që do të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës dhe nga ai i Serbisë do të jetë e pranueshme edhe për SHBA-në.
Escobar flet edhe për raportet e SHBA-së me Qeverinë Kurti. Ai ende nuk ka dijeni se kryeministri kosovar Albin Kurti mund të udhëtojë për një vizitë zyrtare në SHBA.
Në mënyrë të prerë i kërkon qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese për tokat e Kishës serbe në Manastirin e Deçanit. Kërkon që Kosova t’u përmbahet zotimeve të 4 shtatorit 2020 në Washington.
Pak ditë para ardhjes në Prishtinë, ku do të qëndrojë për 3 ditë radhazi, Gabriel Escobar thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha veglat në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar ata që ai i quan aktorët e këqij dhe destabilizues dhe organizatat dhe bizneset që i mbështesin ato.
Ai po ashtu ka folur edhe për situatën në vendet e rajonit. Ka thënë që SHBA nuk do të bashkëpunojë me ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha nëse ai vjen në krye të PD-së. Ka folur edhe për konfliktin në Ukrainë dhe gjendjen në Bosnje e Hercegovinë.