Njohësi i çështjeve politike, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lejimin e ngritjes së çmimit energjisë elektrike, duke thënë se kjo vjen si rezultat i “sinkronit ‘Qeveri-KEDS’”.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se “pasi Kryeministri deklaron në Kuvend se rryma në Kosovë është shumë lirë, një ditë më pas KEDS-i kërkon nga ZRRE-ja shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike”.
“Rezultati i këtij sinkroni ‘Qeveri-KEDS’, sot kulmon me shtrenjtimin e faturës së energjisë elektrike për 200 mijë familje. Ky është rezultati i një Qeverie që mbron interesin e korporatës në vend të interesit të qytetarëve”, ka shkruar Krasniqi, përcjell Telegrafi.
“Ky është diskriminim ndaj atyre që nuk kanë alternativa tjera për ngrohje gjatë dimrit. Shtrenjtimi për ata që shpenzojnë më shumë do të kishte kuptim vetëm atëherë kur të ofrohen alternativat e zgjedhjes. E alternativat që u ofruan – siç ishte projekti i gazit- u refuzuan”, ka shkruar ai.



