Dhuna fizike, psiçike e kërcënimet po vazhdojnë të jenë prezente në familjet kosovare, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga një rast i tillë Sinjali mëson se u trazua një familje në fshatin Restinoc të Lipjanit mbrëmë rreth orës 19:20.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se në baba e ka kërcënuar të birin 17-vjeçar se do ta presë me sëpatë.
Si erdhi deri te kërcënimi?
Sipas deklaratës së 17-vjeçarit, të siguruar nga Gazeta Sinjali, babai i tij kishte tentuar që t’i shiste disa pajisje shtëpiake dhe orendi.
Mirëpo, ai dhe familjarët e tjerë nuk e kishin lejuar që ta bënte një gjë të tillë.
Kësisoj, ai i ishte vërsulur të birit, të cilin e kishte kërcënuar se do ta presë me sëpatë.
Kur Policia kishte shkuar në këtë shtëpi, nuk e kishte gjetur të dyshuarin. Sinjali merr vesh që i dyshuari është kërkuar edhe në gjithë fshatin, por nuk është gjetur.
Ky burim bën të ditur se prokurorja e rastit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit, i cili ndodhet ende në arrati, të iniciohet rasti “Keqtrajtimi apo braktisje e fëmijës”./GazetaSinjali/