Abraham Hervé Diompy, avokati i 41-vjeçarit Fitim Uka, i cili u vetëvra në qelinë e një gjykate në Bordo të Francës pasi nuk donte të kthehej në Kosovë, tha për Express se klienti i tij është me prejardhje nga Mitrovica.
I pyetur se kush mund të jetë përgjegjës për vdekjen e tij dhe nëse lidhur me rastin është suspenduar ndonjë person, avokati tha për Express se tashmë janë duke u zhvilluar hetime nga autoritetet franceze.
Tutje ai tha se nuk ka informacion nëse ndonjë familjar i të ndjerit nga Kosova ka nisur procedurat për kthimin e trupit të pajetë në Kosovë.
Ambasada e Kosovës në Francë, po ashtu ka bërë me dije se viktima është nga Mitrovica duke bërë me dije se autoritetet franceze po e hetojnë rastin.
“Ju informojmë se nga komunikimet tona me autoritetet franceze, jemi njoftuar se bëhet fjalë për shtetasin e Republikës së Kosovës F.U. nga Mitrovica i cili është vetëvrarë në një nga qelitë e një gjykate ne Bordo më 15 dhjetor 2021. Rasti në fjalë është duke u hetuar nga autoritetet vendore”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Ambasada bën me dije se i ndjeri ka jetuar në Francë që nga viti 2008 dhe ka jetuar vetëm.
“I ndjeri, sipas informacioneve nga familjarët, ka jetuar në Francë që nga viti 2008 dhe ka jetuar vetëm”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës.
Ambasada tha se është në kontakt me të afërmit e viktimës dhe është duke e përcjellë rastin.
“Ambasada e Republikës së Kosvës është duke e percjellur rastin dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore dhe me të afërmit e viktimës”.



