1.3 C
Mitrovice
E premte, 13 Mars, 2026

Zeka: S’mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, me mungesa të projekteve kapitale

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se gjatë këtij viti një pjesë e madhe e mjeteve të parapara për shpenzime kapitale janë zhvendosur në aspekte të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e pandemisë.

Madje, ai tha se fokusi kryesor i qeverisë duhet të jetë mbështetja e kategorive të ndryshme sociale.

“Ajo çfarë mund të themi është si pasojë e pandemisë edhe gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti një pjesë e madhe e mjeteve të parapara për shpenzime kapitale janë zhvendosur në aspekte të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e pandemisë”.


“Ne si Odë Ekonomike Amerikane vazhdimisht u bëjmë thirrje qeverive jo vetëm kësaj Qeverie, por edhe të tjerave që të kenë kujdes me shpenzimet për kategoritë sociale sepse nëse kjo vazhdon të ketë rritje në vitet në vijim atëherë mund të rrezikohet edhe stabiliteti buxhetor dhe të thellohet deficit buxhetor që mund të ndikojë në rritjen e tatimeve barrën e të cilave do ta bartin bizneset”.

Sipas tij është e pakuptimtë që të rriten shpenzimet për aspekte të cilat nuk ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik edhe barrën pastaj ta bartin vetë bizneset.

Zeka tha se nuk ka pasur shumë projekte kapitale të cilat janë paraparë në buxhetin e vitit 2022, duke shtuar se me këtë rast nuk mund të ketë fuqizim të sektorit privat edhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ndërsa shtoi se rritja ekonomike përgjatë vitit 2021 ka ardhur nga sektori privat i nxitur nga konsumi.

“Sa i përket rimëkëmbjes atëherë nëse e shohim edhe rritjen ekonomike përgjatë vitit 2021 sidomos përgjatë muajve të verës ose mesit të këtij viti rritja ka ardhur nga sektori privat i nxitur nga konsumi gjë që mund ta ndërlidhim me remitencat e diasporës. Të njëjtën kohë duhet theksuar që deri në javët e para të këtij viti qytetarët kanë pasur mundësinë të tërheqin 10% të tyre personale. Po flasim për 200 milionë euro të cilat janë tërhequr në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti që një pjesë e madhe kanë përfunduar në aktivitete ekonomike”.

TË FUNDIT

TË FUNDIT