Dhuna në familje konsiderohet shkelje e çdo të drejte të gruas, burrit apo edhe fëmijëve që janë pjesëtarë të familjes.
Edhe pse dihet që në Kosovë ekziston një numër i madh i rasteve të dhunës në familje, gjithashtu konsiderohet se një numër shumë i madh i rasteve nuk përfshihen në statistika, kur dihet që ka ende persona që hezitojnë të raportojnë.
Policia e Kosovës për lajmi.net ka treguar numrin e rasteve të dhunës në familje të raportuara në polici katër vitet e fundit.
Në vitin 2018 janë reagjistruar 1533 raste të raportuara, me gjithsej 1562 vitkima, ku numri i viktimave femra dominon me gjithsej 1228 dhe 334 meshkuj.
Viti 2019 ka regjistruar 1914 raste total, me 1978 viktima, ku femra janë 1593 ndërsa 385 meshkuj.
Rritje të raportimeve janë shënuar në vitin 2020, vit pandemik, ku në polici janë raportuar 2069 raste me gjithsej 2101 viktima, ku nga këto viktima 1636 janë femra dhe 465 viktima janë meshkuj.
Shifra alarmante konsiderohen rastet e raportuara gjatë këtij viti (2021), që nga janari e deri në shtator.
Ende pa përfunduar viti, në statistikat 9 mujore janë regjistruar raste që janë afër të tejkalojnë shifrat e viteve të kaluara të regjistruara në afat 12 mujor.
1819 raste janë raportuar në polici, për nëntë muaj, ku nga këto shifra të raportimit janë regjistruar 1845 viktima, nga ato 1437 femra dhe 408 vitkima meshkuj.
Sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje, Policia sqaron se rastet e tilla trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe organet e drejtësisë.
“Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.”, sqaron policia.
Numri i madh i rasteve të dhunës në familje ka bërë që të ketë edhe fushata sensibilizuese dhe protesta kohëve të fundit. Këto shifra cilësohen të larta dhe shqetësuese edhe për sociologët. /Lajmi.net




