2.6 C
Mitrovice
E premte, 6 Mars, 2026

Reagon Mustafa: Grenelli kurrë nuk na kërkoi ta rrëzojmë Qeverinë Kurti

Ish-kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë sot se ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK-ja që të rrëzohet Qeveria Kurti I.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk ka marrë një porosi të tillë nga askush nga SHBA-ja. Ai ka shtuar se Grenelli ka kërkuar nga ta vetëm që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj.

“z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate. z. Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën (jo si emër i përveçëm) ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për ti dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut”, ka shkruar Mustafa.

Tutje ai ka shtuar se në atë kohë i ka shkruar Kurtit lidhur me këtë çështje, duke i thënë se nëse nuk respektohen kërkesa e SHBA-së për tarifat, atëherë LDK-ja do të del nga Qeveria Kurti, por jo ta rrëzojë atë.



“I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në. Z. Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria. Po habitem me mendjelehtësinë e interpretimit të 7 ditëve, pesë ditëve, e ditëve të trilluara dhe analizave që po iu bëhen në publik. Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve.”, është shprehur Mustafa.

“I falem zotit që jam gjallë dhe shëndosh nga mendja, për të mos lejuar spërkatje të tilla ndaj LDK-së dhe partneritetit me SHBA-të derisa unë isha kryetar i saj”, ka shtuar ai.

Ndryshe, disa ditë më parë, shefi i Grupit Paralamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Grenelli u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti I.

Ai tregon se ka pasur mesazh të qartë nga Grenell drejtuar LDK-së për këtë çështje dhe se sa herë kalonin ditët pa ndodhur gjë, presioni rritej.

“Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe cdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6 , 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, kishte thënë ai në mediat lokale. /Reporteri.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT