Mosftesa e Kosovës në Samitin e Demokracisë ka ngjallur reagime dhe kritika të shumta, të cilat kanë shkuar në adresë të Qeverisë Kurti dhe raporteve të tensionuara me SHBA-në.
Mos prezenca e Kosovës në këtë samit dhe radhitja e vendit me shtetet si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria, Turqia dhe Bjellorusia ka nxitur komentet e opozitës dhe shoqërisë civile.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka lënë fajtor kryeministrin Albin Kurtin dhe presidenten, Vjosa Osmanin, për mosprezencën e Kosovës në samitin e organizuar nga SHBA.
Madje, Tahiri thotë se refuzimi vjen si rezultat i refuzimit të projektit të gazit amerikan dhe mos koordinimin e vendimeve me Shtetet e Bashkuara.
“Mos ftesa për Kosovën nga Presidenti Biden në Samitin e Demokracive që mbahet në dhjetor, është kambanë zhurmuese për atë se si janë dëmtuar e degraduar këto raporte, nga papërgjegjësia politike dhe distopia kombëtare e qeverisë së mazhorancës së Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Ky “errësim” që shkëputë traditën e mirëfilltë që kemi ndërtuar deri më tani, është produkt i orvatjeve kryeneçe të kryeministrit me bekimin e presidentes, që SHBA-të i trajton në dioptrinë e tij ideologjike, kundër interesit dhe rezonit shtetëror të Kosovës. Është produkt i refuzimit të segmenteve vitale që e rrisin këtë partneritet, siç që refuzimi i projektit të gazit, mos koordinimi dhe shmangia nga përgjegjësia ndaj këtij partneriteti special”, ka thënë Tahiri me anë të një postimi në ‘Facebook’.
Karshi kësaj çështjeje ka reaguar edhe LDK-ja. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, përmes një shkrimi në Facebook, lidhur me këtë ftesë tha “As në dekë, e as në drekë! Populli…”.
Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se mos ftesa e SHBA-së për Kosovën, është qortim, deri në një masë edhe distancim, ndaj elitës politike.
“Mos ftesa e SHBA-së për Kosovën, është qortim, deri në një masë edhe distancim, ndaj elitës politike. Samitet e takimet e tilla, nuk janë çeshtje kriterësh dhe nuk lidhen (të rasti i Kosovës) me asnjë qeveri të kaluar. Këto janë takime, që mos ftesa, ka domethënie më të madhe se ftesa. Mesazhi amerikan me mos ftesë, nuk është as të kënga e Dafines llafe llafe (që e citonte Presidentja Osmani), as të kenga e Elvanes (kena me u nda), por diku mesazhi gjendet te kënga e Medes “nëse me do, ma deshmo, ose ec e shko” 😉”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, njohësi i rrethanave politike, Agon Maliqi ka kërkuar që kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani të sqarojnë se pse nuk është ftuar Kosova në Samitin e Demokracisë.
“Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani duhet të na sqarojnë se përse në njërën prej nismave kryesore të SHBA për t’iu kundërvënë kërcënimit prej regjimeve autoritare si Kina dhe Rusia, aleati ynë kryesor nuk e fton Kosovën? Si është e mundur që SHBA-të na shohin në Evropë si pjesë e një klubi joprestigjioz autokratësh anti-perëndimorë bashkë me Vuçiqin, Dodikun, Lukashenkon, Orbanin dhe Erdoganin”, pyeti Maliqi me anë të një postimi në ‘Twitter’.
Në lidhje me injorimin që SHBA i ka bërë Kosovës duke mos e ftuar në Samitin e Demokracive në dhjetor, ka reaguar edhe gazetari Vehbi Kajtazi. Ky i fundit ka porositur liderët që të mos presin se SHBA-të do t’i quajnë “anti amerikan”.
“Mos prit qe Amerika te quan anti-ametikan! Vetem te injoron, izolon derisa te rrezon. Keshtu beri Administrata Biden ne raport me Kurtin e Osmanin. Te dy me veprimet e tyre, kane sjelle raportet SHBA-Kosove ne piken me kritike. Biden, nuk te jep afate, por te krahason me Dodikun”, ka thënë ai.
Për mos-prezencën e Kosovës në SHBA nuk ka pasur asnjë reagim institucional, respektivisht koment të kryeministrit apo presidentes.
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të organizojë një “Samit për Demokracinë” më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të sektorit privat dhe filantropistë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.
Samiti planifikohet të mbahet online.
“Samiti do të nxisë angazhimet dhe nismat në tri tema kryesore: promovimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen kundër autoritarizmit dhe luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden planifikon që një vit pas këtij samiti të organizojë edhe një takim me prani fizike, në mënyrë që të diskutohen angazhimet që janë ndërmarrë.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk jepen detaje për listën e vendeve të ftuara në samit, i cili po shihet si një alternativë e G20-ës dhe një sfidë ndaj Kinës. /Lajmi.net/




