Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti si dhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, ishin të ftuar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett, në shënimin e 244 vjetorit të krijimit të trupës së marinsave amerikanë. “Një mbrëmje e këndshme për mua e Ritën, të mirëpritur nga Ambasada e ShBA-së me rastin e përvjetorit të 244-të të krijimit të trupës ushtarake të marinsave. Me ShBA-të do të bashkëpunojmë që të kemi edhe ne trupat tona ushtarake të specializuara, që do të nderojnë kombin dhe aleatët tanë, sa herë ta kërkojë nevoja”, ka njoftuar Kurti. Ajo çka vërehet në këtë foto është se askush tjetër nga skena politike e Kosovës nuk ishte ulur përkrah tyre në tavolinë. A është ky bekim i SHBA-ve për qeverinë e re të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet që u mbajtën më 6 tetor, e përcjellur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. VV dhe LDK aktualisht janë pretendentët kryesorë formimin e qeverisë. Ata kanë zhvilluar disa takime në nivele të ekspertëve dhe në nivelin politik për të arritur një marrëveshje për qeverisje. Aktualisht ka një problem në arritjen e marrëveshjes se kujt duhet t’i takojë posti i presidentit të vendit. Sot ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1400 vendvotimeve. Shumë shpejtë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të certifikojë rezultatet, dhe më pas mund të kemi edhe arritjen e koalicionit VV-LDK.