Republika e Kosovës brenda 24 orëve të fundit, ka regjistruar më së shumti raste të reja pozitive me coronavirus për një milion banorë.
Kjo u bë e ditur nga një grafikë e cila si burim ka të dhënat e universitetit Johns Hopkins ndërsa u shpërnda në Facebook nga gazetari Adriatik Kelmendi.
Kosova lë pas vetes shtetet si Mali i Zi, Gjeorgjia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetëm në 24 orët e fundit, në vendin tonë u shënuan 18 raste të vdekjes si pasojë e infektimit me coronavirus, teksa u konfirmuan 1 mijë 891 raste të reja pozitive.
Gjendje e rënduar duket të jetë edhe në spitalet e Kosovës, ku janë të shtrirë 1 mijë e 165 pacientë, prej tyre 1 mijë e 77 janë të konfirmuar si pozitiv me virusin SARS CoV-2.
Në raportin ditor të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës thuhet se 63 pacientë janë në kujdes intensiv mjekësor, ndërsa 944 pacientë janë me oksigjeno-terapi. /Reporteri.net



