Deputeti i LVV-së Armend Muja, ka folur në lidhje me kandidatin e mundshëm nga kjo parti për kryetar të Mitrovicës, shkruan Mitrovica SOT.
Ai tha se nga data 1 deri më 10 gusht LVV do të përcaktohet për të gjitha kandidaturat për kryetar të komunave, duke shtuar se në lidhje me Mitrovicën, përveç kryetarit aktual të komunës, Agim Bahtirit, kandidaturën e ka dorëzuar edhe Fatmir Hasani.
“Kandidaturat janë duke u shqyrtuar në Kryesi dhe së shpejti do të vendoset dhe opinioni do ta merr vesh kush do të jetë kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës. Pos Agim Bahtirit, kandidaturën e ka dorëzuar edhe Fatmir Hasani”, tha ai në RTV Dukagjini.
Ndryshe, duke qenë se këtë vit mbahen zgjedhjet komunale, ka pasur spekulime të ndryshme mbi kandidatin e mundshëm nga LVV për kryetar të Mitrovicës. Një nga të përfolurit për kandidat ishte edhe vetë deputeti Muja, kjo kryesisht pas përshtypjeve të pakënaqësive të një pjese të strukturës së LVV me kryetarin aktual, Bahtirin, dhe pasi Muja u pa në disa takime të planiifkuara me qytetarë të ndryshëm të Mitrovicës.



