Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka vendosur se cili do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet lokale të këtij viti, shkruan Mitrovica SOT.
E kandidat për kryetar të Mitrovicës do të jetë Armend Agolli, me profesion mjek.
Në një postim në Facebook, Agolli shkroi se me kënaqësi i përgjigjet thirrjes së Lidhjes Demokratike për të garuar për kryetar të Mitrovicës.
Ai ka thënë se edhe pse mjekësia është thirrja e tij jetësore, rrethanat aktuale nuk e kanë anashkaluar as atë, duke e bërë të përfshihet në procese politike, duke shtuar se politika mbetet pjesë e pandashme e tij.
Në fund, ai shtoi se është i rritur sipas parimeve tradicionale e fetare, të cilat nuk e lejojnë të premtojë gjëra që s’mund t’i arrijë.
Postimi i plotë:
“Të nderuar bashkëqytetarë të Mitrovicës,
Të nderuar miq e familjarë,
Me kënaqësi dhe plot vullnet po i përgjigjem thirrjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kandiduar për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, si dhe për t’i prirë listës garuese të kandidatëve të saj për Kuvendin Komunal të qytetit tim të lindjes. Ndjehem thellësisht i nderuar dhe i privilegjuar për këtë besim që më është dhënë .
Edher pse mjekësia është thirrja ime jetësore, dhe asaj ia kam kushtuar gjithë potencialin tim shkencor, rrethanat komplekse politike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë deri më tani sigurisht se nuk kanë mundur të më anashkalojnë as mua. Përkundrazi, ato mbase kanë ndikuar shumë në përfshirjen time aktive në ngjarje e procese të ndryshme politike, por edhe në formimin tim politik. Rrjedhimisht, politika ishte dhe mbetet pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e përditshmërisë sime.
Nga ana tjetër, përvojat dhe njohuritë (jo vetëm mjekësore) të fituara gjatë rrugëtimit tim profesional në Evropë i kam vënë, pa asnjë hezitim e kursim, në shërbim të trimave në kohë lufte dhe të pacientëve në kohë paqeje. Po këto njohuri, bashkë me potencialin tim intelektual e njerëzor, tani jam i gatshëm t’i vë në shërbim të ndërtimit, të zhvillimit dhe të mirëqenies së qëndrueshme të qytetarëve të qytetit tim të lindjes – Mitrovicës.
Edhe pse ky nuk ka qenë rasti deri më tani, unë sinqerisht vazhdoj të besoj se politika e udhëhequr mirë dhe ndershëm mund të bëjë shumë në arritjen e zhvillimit të synuar ekonomik, por edhe në avancimin e mirëqenies, arsimit dhe shëndetësisë së një vendi.
Prandaj edhe e pranova – pa asnjë hezitim – mundësinë e dhënë për t’i ndihmuar vendlindjes sime në realizimin e këtyre sfidave.
Përndryshe, jam rritur dhe edukuar mbi parimet tradicionale shqiptare, por edhe religjioze, sipas të cilave s’mund të flas e as të premtoj gjëra që s’mund t’i arrijë.
Me punën time dhe ndihmën tuaj, besoj se do të arrijmë shumë.
Zoti qoftë me ne dhe na priftë e mbara! ❤️✌️”



