Pak ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti si kandidat për kryeministër, kishte deklaruar se “reciprociteti do të jetë një prej vendimeve të para sapo të vinte në Qeveri”.
“Reciprociteti është më thellë se plan sepse është parim. Pra ka një dimension normativ dhe derivon nga koncepti i barazisë, është parim i shëndosh i marrëdhënieve ndërkombëtare. Reciprociteti është gjëja më e zakonshme e një shteti. Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Është njëra prej gjërave të para që do të bëjë”, kishte thënë Kurti, kur ishte pyetur se kur do t’i kthente masat reciproke me fqinjin verior.
Por sot, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se nuk e sheh reciprocitetin si zgjidhje të problemeve.
“Kosova nuk është e përfaqësuar mirë (në iniciativa rajonale), Kosova shpeshherë ka sfida duke ditur që kemi një shtet fqinj që gjithmonë i pengon nënshkrimi i Republikës së Kosovës. Por ne së bashku, me bashkëpunimin tonë, do të punojmë që të jemi konstruktivë me të gjitha shtetet fqinje pavarësisht brengave që kemi, sidomos me një nga shtetet fqinje që është kryesore. Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim dhe mekanizma të tjera që mund të na ndihmojnë për zhvillim dhe adresim të të gjitha sfidave në aspektin rajonal”, deklaroi Hajdari.
Por afër një vit më parë ajo kishte thënë se reciprociteti është masë e barazisë dhe shtetësisë.
“Pa reciprocitet nuk ka barazi. Nuk ka shtet. Nuk ka sovranitet”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.
“Operatorët ekonomikë nga Serbia e pranuan shtetin tonë, duke kapërcyer kufirin shtetëror me dhjetëra maune dhe dokumente tregtare që na quajnë Republika e Kosovës. Kabineti Hoti nuk po e pranon Republikën tonë, andaj shfuqizoi sot vendimet e Qeverisë Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Vendimet tona qenë të mbështetura po aq sa të guximshme. Reciprociteti është parim gjithësisht i pranuar i së drejtës dhe marrëdhënieve mes shteteve. Vendimet tona jetësuan këtë parim, të bazuar në aktet themeluese të Organizatës Botërore të Tregtisë”.
“Pa reciprocitet s’mund të ketë barazi. Pa barazi s’mund të ketë liri. Pa liri s’mund të ketë zhvillim, as mirëqenie e as dinjitet për qytetarët”, kishte pohuar ajo, tre ditë pas votimit të Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.



