Një postim në rrjete sociale i Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me zhvillimet e fundit në Bjellorusi kanë ngjallur reagimin e shumë njerëzve, shkruan Mitrovica SOT.
E një nga figurat publike që ka reaguar në lidhje me këtë është edhe ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Shkelzen Gashi.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ironizoi me Kurtin duke thënë se po u mban ligjërata në Evropë se si ajo nuk duhet të ketë plane strategjike por duhet të ketë një ëndërr, e tash Ministria e Jashtme po shikon t’i udhëzojë SHBA-në NATO-n e BE-në si duhet të reagojnë në raport me zhvillimet në Bjellorusi, duke shtuar se këtë po e bën Kosova, vendi më i varfër në Evropë e që s’ka as ujë e as rrymë 24 orë.
Tutje, këtë sjellje të Qeverisë ai e përmblodhi me një shprehje gjakovare: “mendjen çardak e bothën cullak”.
Postimi i plotë i tij:
“fillimisht kryeministri ynë u mbante ligjërata deputetëve të parlamentit europian se si europa nuk duhet të ketë plane strategjike, por duhet ta ketë një ëndërr, ngaqë martin luter king nuk ka thënë ‘unë kam një plan strategjik’, por ‘unë kam një ëndërr 🙁
tash ministria e punëve të jashtme po i udhëzon shba-të, nato-n e be-në se si duhet të reagojnë ndaj zhvillimeve në bjellorusi 🙁
kosova vendi më i varfër në europë. aq zibidi sa s’ka as ujë e rrymë 24/7 🙁
në gjakovë e kanë një shprehje të mirë: mendjen çardak e bothën cullak…”




