Departamenti i Ministrisë së Jashtme të Izraelit për Ballkanin Perëndimor, ditë më parë ka falënderuar në Twitter kosovarët për marshimin në Prishtinë në mbështetje të Izraelit, ndërsa një komentues ka shpërthyer me akuza duke e quajtur Kosovën shtet të krijuar nga terrorizmi, e i menjëhershëm ka qenë reagimi nga ky Departamenti i Izraelit për Ballkan.
Një komentues me nacionalitet serb ka reaguar ndaj falënderimit që shteti i Izraelit i ka bërë qytetarëve të Kosovës që marshuan të premten në mbështetje të shtetit hebre.
“Kosova, është krijuar nga terrorizmi dhe është sponsorizuar nga paratë e drogës. Ky lloj interesi politik i harmonizuar për qëllime afatshkurtra nuk është i mirë. Përveç që është gabimisht në thelb, kjo me siguri do të ketë efekt të tërheqjes së ambasadës së Kosovës nga Jeruzalemi në të ardhmen”, ka shkruar komentuesi.
Por ajo që ka rënë në sy, ishte reagimi i menjëhershëm nga Departamenti i Ministrisë së Jashtme të Izraelit për Ballkanin Perëndimor.
Në përgjigjen ndaj këtij komentues, ISR për Ballkanin, ia ka përplasur përgjigjen që asnjë serb nuk do donte ta dëgjonte, duke i thënë se Izraeli priste solidarizim nga miqtë e tjerë, por ishte Kosova që e shprehu dhe ne e falënderojmë.
“Epo, ne prisnim që miqtë tanë të tjerë të tregonin të njëjtin solidaritet, por Kosova ishte ajo që e shprehu dhe ne duhet të jemi mirënjohës”, ishte përgjigja e Departamenti i Ministrisë së Jashtme të Izraelit për Ballkanin Perëndimor, ndaj këtij komentuesit.
Duhet theksuar, se të premten në Prishtinë është mbajtur marshi pro-Izraelit, e nxitur nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe konfliktit të përshkallëzuar izraelito-palestinez.
Marshuesit mbanin në duar pankarta të ndryshme dhe flamuj të Izraelit.
Organizatorët kanë thanë se qëllimi nuk është të përçohen mesazhe të dhunës, por të paqes, kundër siç i quajtën ata, terroristëve të Hamasit.
Ky departament është shprehur falënderues ndaj Kosovës për rreshtimin kundër terrorizmit nëpërmjet një postimi në llogarinë e tyre zyrtare në ‘Twitter’.



