Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pohuar e as mohuar përfshirjen e Nismës Socialdemokrate në koalicionin e ardhshëm qeverisës, nëse kjo e fundit kalon pragun zgjedhor.
I kontaktuar nga Periskopi, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është ajo që duhet të pyetet lidhur me këtë çështje, duke vënë në pah se LDK e LVV ende nuk janë partnerë të koalicionit. Nënkryetari i LDK-së madje thotë se nuk është çështje e partisë së tij ankesa e LVV-së në Gjykatën Supreme, përmes së cilës kërkojnë që KQZ të lejojë numërimin e votave të ardhura në mënyrë të kontrabanduar nga Serbia.
“Po çka kemi me reagu për ankesa që i bojnë ata, pyeti ata, Vetëvendosjes i vështirësohet se ajo e ka obligim për me ba Qeverinë, nuk jemi partnerë ende, jemi tu punu ende n’mujshëm me i harmonizu programet e çështje me interes, na bojmë koalicion, s’mujtem, na nuk jemi partner ende”, tha Veliu. Vendimi i fundit i PZAP-së për anulimin e votave të ardhura nga Serbia ka ndryshuar disi matematikat e partive politike, kryesisht dy partive që synojnë të formojnë koalicion qeverisës.
Kjo pasiqë në rast se Gjykata Supreme nuk aprovon si të drejtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e votave të ardhura jashtëligjshëm nga Serbia, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt mund të kalojë pragun zgjedhor. Kujtojmë se nëse Nisma Socialdemokrate kalon pragun prej 5 përqind, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë, ndërsa LDK-ja 28 deputetë. Numri i deputetëve të të dy partive në total do të jetë 57, numër ky që nuk do të jetë i mjaftueshëm për votimin e Qeverisë siç kërkohet të jetë 61 sipas ligjit.