Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrur qindra reagime negative gjatë ditës së djeshme, pas shkrimeve të saj për Betejën e Koshares, ku nuk ka përmendur fare UÇK-në (Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës), shkruan Gazeta Metro.
Presidentes Osmani, i reaguan ish-pjesëtarë të UÇK-së, politikanë e qindra qytetarë, të cilët ishin shumë të pakënaqur me paraqitjen e saj në rrjetet sociale sa i përket UÇK-së. Madje, asaj i reaguan edhe brenda VV’së, partisë fituese me të cilën është në koalicion.
Lidhur me çështjen e mos-përmendjes së UÇK’së, Osmani vërejtjeka marrë edhe përbrenda partisë me të cilën është në koalicion qeverisës. Ish-kandidatja për deputete, Mimoza Shala, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që ta përmend UÇK’në në postimin në ‘Facebook’ për përvjetorin e Brigadës 138 Agim Ramadani.
Reagime kishte edhe nga opozita.
Deputejta e PDK-së Eliza Hoxha shkroi se vetëm Osmanit nuk ua zë goja asnjëherë të vetme ta përmendë UÇK-në. Poashtu, ish-ambasadorja kosovare në SHBA, Vlora Çitaku, ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë trashëgimi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Çitaku deklaroi kështu nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’. Ish-përfaqësuesja e Kosovës në SHBA iu është bashkëngjitur reagimeve kundër presidentes Vjosa Osmani, e cila po akuzohet se nuk e përmendi UÇK’në në një postim dedikuar përvjetorit të Koshares.
“Po të mos kishte UÇK nuk do të kishte as FSK”, thuhet në postim.
Ndaj Osmanit ka reaguar edhe analisti Imer Mushkolaj.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Mushkolaj ka thënë se vetëm Vjosa Osmani mund të shkruajë për betejën e Koshares pa e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Veç Vjosa Osmani mundet me shkru për Kosharen pa e përmend UÇK-në”, ka thënë Mushkolaj.
Edhe Gazetari Valon Syla përmes një shkrimi ka ironizuar me presidenten e zgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmanin, duke thënë se kjo e fundit që fëmijë e ka ditur se do të bëhet presidente.
“Presidentja Vjosa Osmani e ka ditë si fëmij që do të bëhet një ditë Presidente. Pra, ja ka ndi zemra se; Ibrahim Rugova vdes. Çlirohet Kosova dhe pastaj pavarësohet. Liderët e UÇK në Hagë. Pastaj bëhet Presidente, se i kish thënë nonës së vet si fëmi që do të bëhet. E le mo UÇK. Çka ka lyp UÇK’ja në Koshare?”, ka shkruar Syla në Facebook.
Ndërkohë në mbrojtje të saj flet shefi i stafit në kabinetin e Osmanit. Blerim Vela thotë se “Kosova dhe UÇK janë një”.
Sipas tij, Vjosa Osmani me veprimet e saj e lartëson Kosovën.
“Çdo ditë dhe me secilin veprim, Presidentja @VjosaOsmaniPRKS lartëson Kosovën e idealeve të luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e secilit luftëtar dhe dëshmorë kujtohet me pietet, pasi që #Kosova dhe #UÇK janë një!”, shkroi ai në Twitter.
Ndërsa nga Presidenca, Bekim Kupina ka thënë se Osmani e ka përmendur UÇK-në në fjalimet e saj dhe nuk ka asnjë telashe.
“Presidentja mban statusin më të lartë të vendit, komamdate supreme e ushtrisë, është mirë që ta përmirësoj statusin në fb që mos të bie poshtë!”, tha Shala në ‘Facebook’.
Kujtojmë, që Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj./gazetametro.net






