Qeveria e Republikës së Kosovës, që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti, ka refuzuar që të dërgojë punëtorët e arsimit e ata shëndetësorë për vaksinim në Shqipëri, meqë Edi Ramës i kanë mbetur vetëm rezerva të vaksinës kineze.
Ministri i Shëndetësisë së qeverisë së Kosovës, Arben Vitia ka thënë se Kosova nuk mund të përdorë vaksina që nuk janë certifikuar nga agjencia e barnave të Bashkimi Europian.
Vitia tha se procesi i vaksinimit të mësuesve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe ”Pfizer” në Shqipëri.
Megjithatë një situatë të tillë po e sheh ndryshe autori i emisionit televiziv “Prizma” që transmetohet në T7, Dritan Dragusha.
Dragusha përmes një reagimi në profilin e tij ka thënë se Qeveria e Kurtit e ka refuzuar ndihmën e Shqipërisë për vaksina, jo pse bëhet fjalë për vaksinë kineze, por se ato po dhurohen nga Edi Rama si kundërshtari i vetëm politik i Kurtit.
“Vaksinat kineze nuk u pranuan nga Kryeministri, jo se Kina nuk e ka njohur Kosovën, por se ato u ofruan nga kundërshtari i vetëm aktual politik i tij”, ka shkruar Dragusha





