Armët ilegale në duart e qytetarëve vazhdojnë të mbetem një problem i madh në Kosovë. Përkundër fushatave të ndryshme të ndërmarra nga institucionet e vendit dhe thirrjet për legalizim të tyre, ky numër vazhdon të mbetet shqetësues.
Vetëm nga fillimi i vitit 2019 e deri më sot, Policia e Kosovës ka konfiskuar 2 mijë e 779 armë dhe 65 mijë e 737 fishekë.
“Në vitin 2019, polica ka konfiskuar 1439 armë dhe 30 438 copë fishekë”, ka thënë Krasniqi.
Ai gjithashtu ka treguar edhe për armët e konfiskuara në vitin 2020.
“Në vitin 2020, Policia ka konfiskuar 1135 armë dhe 32 747 fishekë”, ka shtuar Krasniqi.
Zëdhënësi i Policisë, gjithashtu ka treguar se këtë vit në dy muajt e parë janë konfiskuar 202 armë në Kosovë.
“Në janar 2021 janë konfiskuar 116 armë dhe 1235 fishekë, kurse në shkurt 2021 janë konfiskuar amë 86 dhe 1317 fishekë:, ka thënë Krasniqi për Reporteri.net.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që mban në pronësi, kontroll ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
Po ashtu sipas Kodit Penal nëse një person posedon më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.
“3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në shkelje të këtij neni konfiskohet”, thotë Kodi Penal.
Kujtojmë që në fund të vitit 2019 Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), pati nisur një fushatë gjashtëmujore për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat i posedojnë pa leje qytetarët e Kosovës.
Për legalizim të armëve patën aplikuar 781 persona, ndërsa 374 prej tyre kanë marrë pëlqimin nga kjo ministri.
Bazuar në të dhënat e MPB-së, numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 260 mijë sosh. /Reporteri.net






