Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është “i vogël për të qenë në gjendje të kundërshtojë të gjithë”, por tha se s’lejon “poshtërimin dhe shkatërrimin e popullit tim”.
Këto komente Vuçiq i bëri pas letrës që presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ia dërgoi, duke i kërkuar përmes saj që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Vuçiq tha se ideja e njohjes së ndërsjellë është “krejtësisht amerikane”, dhe tha se SHBA-ja do që ta poshtërojë Serbinë.
“Tani është e qartë se është një ide krejtësisht amerikane, se ata nuk dëshironin bisedime për dy Gjermanitë dhe zgjidhje të tjera, por është e qartë se ata duan poshtërim të plotë të Serbisë, dhe unë ua thashë gjithçka që mund të them në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë për atë lloj poshtërimi.
Ai nuk pret që të thuhet kjo, por unë do ta përsëris atë në çdo vend”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se tashmë e ka shprehur atë që mendon rreth njohjes reciproke.
“Kam marrë urimet e Presidentit Biden, faleminderit për urimet. Për sa i përket njohjes reciproke, ajo nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore, as në BE, as në ndonjë rezolutë.
Ka pasur përpjekje për ta imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar, si një zgjidhje përfundimtare, dhe unë tashmë u kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj për njohjen reciproke”, tha Vuçiq paraprakisht. /Express



