Alvin Berisha ka mbërritur në Itali. 11-vjeçari me origjinë shqiptare u transferua me një fluturim të planifikuar nga Alitalia.
Ai mbërriti nga Bejruti pas orës 07:00 në aeroportin e Romës Fiumicino, ku u prit nga babai dhe dy motrat.
“Gëzim i jashtëzakonshëm që mundëm të sjellim vogëlushin Alvin përsëri në Itali, në krahët e familjes së tij. Duhet të punojmë më shumë për fëmijët e tjerë në Al-Hol dhe në fusha të tjera në Siri. Është një situatë komplekse, por nëse ekziston vullnet politik, mund të bëhet ” shkruan Presidenti i Kryqit të Kuq italian, Francesco Rocca.
Në moshën 6 vjeçare, në dhjetor të 2014, Alvin Berisha fluturoi drejt Sirisë me të ëmën që donte t`i bashkohej ISIS-it.
Vogëlushi shqiptar, nëna e të cilit do të vdiste në një shpërthim së bashku me bashkëshortin e ri dhe djalin që kishin së bashku, do të përfundonte më pas në kampin e refugjatëve Al Hol, në veri-lindje të Sirisë, atje dhe ku u gjet.
U desh një operacion i mirëorganizuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare si dhe organizatat humanitare për të bërë të mundur nxjerrjen e tij nga kampi dhe bashkimin e Alvinit me familjen e tij.
Tashmë sfidë për shtetin shqiptar mbetet kthimi i rreth 28 fëmijëve të tjerë shqiptarë që gjenden në kamp./Ora News/