Deklarata e Sekretarit në ardhje të Shtetit i SHBA-së, Anthony Blinken në lidhje me disa të arritura të administratës Trump në politikën e jashtme ka ngjallur reagime, shkruan mitrovicasot.net
Blinken tha se aplaudon qasjen më të ashpër të Trump ndaj Kinës dhe marrëveshjet e paqes mes disa vendeve të Lindjes së Mesme dhe Izraelit. Tutje, Blinken aplaudoi edhe marrëveshjen e 4 shtatorit mes Kosovës e Serbisë të ndërmjetësuar nga Richard Grenell.
Në lidhje me këtë ka reaguar gazetari Laurence Norman i cili nëpërmjet një postimi në Twitter ka thënë se kjo deklaratë e Blinken mbi disa lëvizje të administratës Trump në politikën e jashtme është paralajmërim për BE-në.
“Nën presionin e Ron Johnson, A Blinken tha që pajtohet se lëvizje të caktuara të Trump në politikën e jashtme janë të mirëseardhura. Të përfshira: Partnerët e NATO-s të paguajnë më shumë, marrëveshja Abraham dhe, pa asnjë kundërshtim, iniciativa e Richard Grenell për Kosovën e Serbinë. Ia vlen që BE t’i kushtojë vëmendje kësaj”.
Ndryshe, partitë opozitare në Kosovë marrëveshjen e 4 shtatorit e kanë pritur me kritika. Më e zëshmja ishte Lëvizja Vetëvendosje e cila madje ka paralajmëruar se me të ardhur në pushtet nuk do ta zbatojë marrëveshjen e nënshkruar në Washington.