Filozofi dhe publicisti Shkëlzen Maliqi ka thënë se zgjedhjet në Kosovë mund të dështohen qëllimisht që të përsëriten pas 3 muajve.
Kjo, sipas tij, do të ndodhte për shkak se KQZ mund të mos e certifikojë kandidaturën e Albin Kurtit, lider i Vetëvendosjes.
Maliqi nuk përjashton as tensionet që do të shkaktonin përkrahësit e Kurtit nëse vendimi përfundimtar i KQZ nuk do të lejonte atë të kandidojë shkaku i vendimit gjyqësor për vuajtjen e dënimit prej mbi 3 vite burg.
Faktin se që nga pavarësia asnjë qeveri në Kosovë nuk ka arritur të përfundojë mandatin Maliqi e arsyeton me sistemin zgjedhor dhe vijat e kuqe të partive, që gjithnjë e më shumë mbajnë llogari për interesat partiake duke lënë anash ato shtetërore.
“Shteti i pavarur i Kosovës ekziston vetëm 13 vjet, kohë kjo e shkurtër, madje edhe adoloshente, për të arritur pjekuri dhe stabilitet të plotë”, ka thënë Maliqi për KDP.
KDP: Si prisni të shkojnë zgjedhjet e 14 shkurtit?
Shkëlzen Maliqi: Zgjedhjet në Kosovë zakonisht janë zhvilluar pa probleme të mëdha. Asnjëherë nuk është kontestuar rezultati i tyre, por ka pasur në disa prej zgjedhjeve të fundit stërzgjatje të procesit të numërimit dhe çertifikimit e më pastaj edhe të krijimit të koalicioneve dhe qeverive stabile. E vërteta është se asnjë qeveri e Kosovës, nga shpallja e pavarësisë, nuk e ka përfunduar mandatin e plotë.
Me 14 shkurt do të mbahen zgjedhjet e radhës të jashëzakonshme, ku pritet se do të fitojë Lëvizja Vetëvendosje e bashkuar me Listën e Vjosa Osmanit. Binomi Kurti – Osmani, që në vitin 2019 pat arritur një momentum premtues përmbysës që e quanin “koalicion i shpresës” LVV – LDK, por që pastaj dështojë dhe prodhojë dy qeveri afatshkurta, tani garon me listë të përbashkët e cila shihet si favorite absolute jo vetëm për fitore, por edhe për realizimin e ndryshimeve substanciale dhe një qeverisjeje ndryshe nga “politika e vjetër”, që e dominonin LDK dhe PDK, dy forcat kryesore që kanë arritur internacionalizmin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por që akuzohen se kanë dështuar në sigurimin e zhvillimin e qëndrueshëm të shtetit.
Brezi i ri i politikanëve po shpreson se me rritjen e numrit të votuesve, që quhen brezi i republikës që nuk i ka përjetuar vitet e ’90 dhe që ndiehet se i ka borxh as LDK-së e as partive të dala nga lufta dhe UÇK-ja, kërkon vetëm llogaridhënie për kapjen dhe zhvatjen e shtetit nga politika e vjetër që nuk arriti ta zhvillojë Kosovën në drejtimin e duhur.
Por, ka një gjë që aktualisht turbullon vizionin triumfalist të ngadhënjimit të “koalicionit të shpresës”. Ka gjasa që Albin Kurti dhe një grup i kandidatëve të LVV nuk do të çertifikohen për garën zgjedhore, çka mundem me sjellë tensione gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve.
Çështja është se verdikti i Gjykatës Kushtetuese, që e rrëzoi qeverinë Hoti në bazë të kërkesës së Kurtit, mund t’i kthehet si boomerang. Konstatimi i Gjykatës Kushtetuese se Qeveria Hoti nuk është zgjedhur në mënyrë legjitime sepse vota vendimtare e 61 e një deputeti nuk ka qenë valide për shkak se ai ka qenë i dënuar për vepër penale, e detyron KQZ-në që të mos ua çertifikojë kandidimin për deputet Albin Kurtit, si bartës së listës së LVV, dhe disa bashkëpartiakëve që po ashtu janë dënuar penalisht në tre vitet e fundit!
Nëse KQZ-ja vepron kështu dhe kërkon heqjen e Kurtit nga lista zgjedhore, kjo mund të shkaktojë tensione dhe regime të përkrahësëve fanatikë të LVV që edhe në të kaluarën nuk hezitonin që të organizonin protesta dhe presione jodemokratike dhe të dhunshme. Përndryshe, vepra penale për të cilën janë dënuar Kurti dhe bashkëpartiakët lidhet me përdorimin e gazit lotësjellës në Kuvendin e Kosovës.
KDP: A do ta pranojë Albin Kurti menjanimin nga gara elektorale?
Shkëlzen Maliqi: Do të duhej të pajtohej, sepse askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Nëse KQZ-ja kishte gabuar me çertfikimin e kandidimit të deputetit të partive të ashkalive, dhe kjo e pat rrëzuar Qeverinë Hoti, s’di si mund ta lejojë kandidimin e Kurtit, sepse sërish dikush do ta çojë çështjen në Gjykatë Kushtatuese, dhe ajo nuk mund të merr vendim të ndrysëm. Kurtit aktualisht ende nuk i ka skaduar afati prej 3 vitesh që do t’ia lejonin kandidimin, ai afat skadon në shtator.
Sipas disa interpretimeve, Kurtit mund t’i ndalohet kandidimi për deputet, por jo edhe kandidimi për kryeministër, sepse në Kushtetutë nuk ka ndalesë decidive të këtillë si për deputetët.
Është një çështje për të cilën Kushtetuta mbetet e heshtur dhe pa qartësi ndonëse, sipas logjikës, ndalesa do të duhej të vlente për çdo kandidim në poste të larta shtetërore (presidenti, kryeministri, ministrat etj.) nëse kandidati konkret është i dënuar penalisht nga gjykatat, madje edhe me afate më të gjata se 3 vjet.
KDP: Mendoni se Kurti, megjithatë, nëse tejkalohet kjo pengesë ligjore i ka gjasat më të mëdha që të formojë qeverinë?
Arritja e një shumice mbi 50 % nuk është aq e lehtë, sepse nënkupton një fitore bindëse që Albinit ia siguron të paktën 61 mandate në Kuvendin e ardhshëm, që do të ishte dështim total për partitë tjera që e kanë dominuar Kosovën në periudhën e pasluftës.
Shkëlzen Maliqi: Po, gjithësesi, të gjitha anketat dhe prognozat e favorizojnë Albin Kurtin. Madje ka mendime se heqja e tij nga lista zgjedhore do të bëhet një faktor shtesë për fitore edhe më të bindshme të tij. Besohet se, edhe pse nuk ka rregulla të strikte rreth kritereve për kandidimin e Kryemistrit, heqja nga lista për deputet nuk e detyron LVV që mos ta kandidojë për kryeministër.
Rreth kësaj me gjasa do të zhvillohet një betejë e ashpër ligjore. Disa parashikojnë që zgjedhjet e 14 shkutrit do të mund të dështohen qëllimisht, në mënyrë që ato të përsëritën në vjeshtë, kur Albinit i skadon afati i ndalesës për kandidim.





