Analisti dhe profesori, Blerim Latifi ka thënë se ideja e ministres së Financave, Hykmete Bajrami për ta përfshirë “Guardia di Finanza” në hetimin e vjedhjes së parave nga Thesari i Shtetit, është shumë e qëlluar pasi që hetuesit kosovarë nuk kanë guxim e as ndjenjë patriotike për të kryer një punë të tillë.
Latifi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vetëm një mekanizëm hetues si “Guardia di Finanza”, mund të çmontojë sistemin e sofistikuar të zhvatjes së parasë publike në Kosovë.
“Hetuesit kosovarë, me përjashtim të ndonjë rasti, nuk e kanë as kompetencën e duhur profesionale, as guximin qytetar, e as ndjenjën patriotike, për t’i luftuar zhvatësit e shtetit të Kosovës, të cilët, realisht, janë duke i bërë dëme këtij shteti, po aq sa edhe Serbia.”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Ideja e ministres së financave Hykmete Bajrami që Guardia di Finanza të përfshihet në hetimin e vjedhjeve të cilat ndodhin në mekanizmat shtetëror që administrojnë paranë publike, është shumë e qëlluar dhe e domosdoshme.
Veç një mekanizëm hetues si Guardia di Finanza mund të çmontojë sistemin e sofistikuar të zhvatjes së parasë publike në Kosovë.
Hetuesit kosovarë, me përjashtim të ndonjë rasti, nuk e kanë as kompetencën e duhur profesionale, as guximin qytetar, e as ndjenjën patriotike, për t’i luftuar zhvatësit e shtetit të Kosovës, të cilët, realisht, janë duke i bërë dëme këtij shteti, po aq sa edhe Serbia./gazetametro.net






