Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, ai tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.
E i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kryetari të Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili është kundër.
“Prej ekstremit në ekstrem! Hoti paralajmëron mbyllje totale”, ka shkruar Ahmeti.
Kujtojmë, që Kryeministri Hoti duke paralajmëruar mbylljen totale tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.
“Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike.
I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa.
Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën.
Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”, ka thënë Hoti për REL.



