Ish-deputeti i Kushtetutës së Kaçanikut, Ali Shahini është ndarë nga jeta, shkruan mitrovicasot.net
Ai ishte deputet në kohën e miratimit të kushtetutës së Kaçanikut.
Për ndarjen e tij nga jeta ka njoftuar kryetari i Ferizajit, Agim Aliu i cili shprehu ngushëllime.
“Me pikëllim të thellë, mora lajmin për ndarjen nga jeta të deputetit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 Shtator 1990, prindit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Shahini.
Vepra e tij e guximshme për themelet e Kosovës, mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990, frymëzim që brumosi edhe bijtë e tij në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë është skalitur në faqet e historisë së re të Kosovës.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës” shkruan Agim Aliu në mesazhin ngushëllues.
Shahini ishte nderuar me dekoratën “Medalja e Artë e Pavarësisë” nga ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.