Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vlerëson se shteti duhet të jetë i hapur, nxënësit të vijojnë mësimin si dhe bizneset të qarkullojnë.
Këto komente i ka bërë sot në llogarinë e tij në Facebook, edhe pse kemi rritje të rasteve me COVID-19 për disa ditë rresht.
Ai ka thënë se të gjithë duhet të jenë bashkë kundër pandemisë, përderisa thekson se do të zbatohet në përpikmëri ligji AntiCOVID për ata që i shkelin masat kundër koronavirusit.
Postimi i plotë:
Kemi dëshmuar se sa herë kemi qenë bashkë, kemi fituar. Andaj, edhe në luftë kundër Covid-19, pashmangshëm do të dalim fitues!
Të vazhdojmë fuqishëm, secili në përgjegjësitë që kemi, qeveria, policia, inspektoratet, spitalet, qytetarët dhe të gjithë akterët tjerë, bashkë kundër pandemisë.
Zëri i ekspertëve të vazhdoj të jetë zëri i vetëm që duhet të dëgjohet, vendimet e institucioneve duhet të respektohen dhe secili prej nesh, t’i zbatojë ato.
Ta mbrojmë veten dhe të afërmit, të mbrojmë shëndetin publik dhe ta ndihmojmë shtetin.
Shteti duhet të jetë i hapur. Nxënësit duhet të vazhdojnë të vijonë mësimin në shkolla, bizneset duhet të vazhdojnë të punojnë, qytetari të mos varfërohet nga pamundësia për të punuar.
Andaj, të jemi të kujdesshëm dhe ta mundësojmë funksionimin e hapur të shtetit për të gjithë.
Ndëra për ata që shkelin masat anti Covid- 19, duhet të zbatohet në përpikmëri Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nga organet e rendit.
Bashkë ia dalim!
Vendose maskën!
Mbaje higjienën!
Ruaje distancën!