Një infermiere nga komuna e Vushtrrisë, e cila ka rezultuar pozitive me koronavirus, nuk ka respektuar rregullat e karantinimit, ndërsa është parë duke shëtitur në qytet, shkruan Gazeta Metro.
Këtë e ka konfirmuar edhe Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Vushtrri, Rrahim Ajeti, i cili ka bërë të ditur se e vetmja gjobë e shqiptuar dje si pasojë e mosrespektimit të masave të vendosura për të vet-izoluarit ishte ndaj infermieres së infektuar me koronavirus.
“Infermierja e infektuar me Covid-19, ka dalë dje rreth orës 19:40, pra nuk ka pasur të drejt për të dalë meqë më 29 qershor është konfirmuar se është e infektuar me koronavirus”, ka thënë ai për Metron.
Ajeti tutje bëri të ditur se deri më sot nuk është hasur në asnjë rast tjetër në mosrespektimin e masave të karantinimit nga personat dhe familjet e prekura me këtë infeksion. “Diku 99% po i respektojnë masat për vetizolim, dy herë në ditë inspektoriati bashkë me policinë i vizitojnë rastet e infektuara, pra çdo familje që është me Covid-19 dhe janë duke u respektuar masat në maksimum. Ky është rasti i vetëm në të cilin kemi hasur në komunën tonë”, ka thënë ai.
Në konsultim me prokurorinë ndaj të dyshuarës është iniciuar procedurë penale dhe e njëjta do të intervistohet kur të kalojë periudha kohore e përcaktuar nga IKSHPK. Gazeta Metro mëson se infermierja e infektuar është dënuar me gjobë prej një mijë euro për këtë vepër të jashtligjshme. /gazetametro.net






