Policia e Kosovës ka kërkuar nga të gjithë ngasësit e automjeteve në territorin e Kosovës që të kenë kujdes dhe t’i respektojnë shenjat e trafikut me përpikëri, shkruan Gazeta Metro.
2Derisa gjatë kohës së karantinimit numri i aksidenteve rrugore dukshëm shënoi rënie, me lirimin e masave padyshim që aksidentet rrugore filluan të shpeshtohen.
Me këtë shkak edhe policia ka bërë apel ndaj qytetarëve që të kenë kujdes derisa vozisin, përndryshe toleranca në këtë rast do të jetë 0.
“Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që gjatë qarkullimit me automjetet e tyre të jenë më vigjilent dhe shenjat e trafikut t’i respektojnë me përpikëri.
Përndryshe Policia e Kosovës vazhdon dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat e trafikut rrugor dhe zero tolerancë do të aplikohet në këtë aspekt, me të vetmin qëllim sigurinë më të madhe në rrugët tona dhe shmangien e aksidenteve rrugore”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha për Metron.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, përveç aksidenteve që shkaktuan vetëm dëme materiale, është raportuar për dy aksidente më të rënda trafiku, ku një 14 vjeçar ishte vetë-aksidentuar në fshatin Llukar të Prishtinës, rreth orës 12:00.
I mituri i cili ishte rrokullisur me veturë nuk ka pësuar lëndime të rënda, ndërkaq edhe dëmet materiale ishin të konsiderueshme.
“Ndaj ngasësit të mitur, nga ana e policisë do të merren masa konform autorizimeve ligjore”, u tha për Metron derisa zëdhënësja e PK’së, Flora Ahmeti, ka konfirmuar rastin.
Përveç këtij aksidenti, gjatë ditës së djeshme u konfirmua edhe një aksident trafiku i cili nuk rezultoi vetëm me dëme materiale.
Bëhet fjalë për dy veturat të cilat janë përplasur me semaforë në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë rreth orës 16:40 të pasdites.
Me këtë rast, siç njoftoi policia, lëndime trupore kanë marrë katër persona, dy shoferët e veturave dhe dy pasagjerë.
“Të përfshira janë dy automjete, 1 Opel Astra ngjyrë hiri pa targa, shoferi i të cilës ka mbetur i lënduar, dhe një VW Pollo ngjyrë e zezë me targa vendore, ku të lënduar mbetën shoferi dhe dy pasagjerë të tjerë”, thuhej në përgjigjen e Policisë dhënë Metros.
Sipas informative fillestare shkaktari i këtij aksidenti dyshohet të jetë lëvizja me automjet në rrugë njëkahore. /gazetametro.net




