Në Kosovë gjatë fundjavës pritet të vazhdojë mbizotërimi i motit të ngrohtë dhe me diell, teksa mëngjeset parashihet të jenë më të ftohta, shkruan Gazeta Metro.
Nga mesi i javës së ardhshme parashikohet rënie e temperaturave, e priten edhe reshje të dobëta shiu.
Shërbimi i meteorologjisë bën të ditur se “rajoni ynë mbetet në ndikimin e zonave anticiklonike që do të vazhdojnë të favorizojnë mot stabil dhe të kthjellët, përderisa nga Afrika veriore masat e ngrohta ajrore sjellin mot të ngrohtë dhe temperatura maksimale ndjeshëm mbi vlera mesatare. Orëve të mëngjesit në vise të ulëta do të mbajë mot më i ftohtë, me temperatura minimale përreth vlerave mesatare”.
“Nga mesi i javës së ardhshme, fusha të presionit të ulët nga Atlantiku do të depërtojnë mbi Itali, ku mbi vendin tonë do të sjellin mundësi për reshje të dobëta shiu, e masa të ftohta ajrore që do të depërtojnë nga veriu i kontinentit do të zbresin temperaturat rreth vlerave normale”, thekson PW.
“Në kushtet meteorologjike që parashihen këto ditë, me qarkullim të dobët ajror dhe nën dominimin e fushave të presionit të lartë, indeksi i cilësisë së ajrit kohë pas kohe do të kalojë në vlera të pashëndetshme”.
Parashikimi për datat 26-30 tetor:
26.10-27.10 – Ngrohtë, kthjellët dhe me diell. Në mëngjes ftohtë.
28.10-29.10 – Mbetet ngrohtë dhe kryesisht me diell. Orëve të mëngjesit ftohtë.
30.10 – Kryesisht me vranësira dhe më ftohtë, e në mbrëmje mundësi për reshje të dobëta shiu.
Temperaturat minimale do të luhaten nga 2C deri në 5C, e maksimalet nga 23C deri në 25C, e ditën e mërkurë do të zbresin deri në 13C.
Do të fryjë erë e lehtë nga verilindja dhe veriperëndimi 1-2m/s.
Shtypja atmosferike do të shënojë rritje mbi vlera normale, e më pas gradualisht do të pësojë rënie.