Tri kompanitë më të mëdha afariste nga Peja, Devolli Corporation, Devolli Group dhe Elkos Group, i kanë bashkuar forcat për të dhuruar artikuj ushqimorë dhe produkte të tjera ndihmë për qytetarët në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë e virusit Covid-19.
Nën moton “Afaristët pejanë për Kosovën”, nga sot do të fillojë shpërndarja e pakove të cilat do të përmbajnë 300 tonelata miell “Finesa”, 24 mijë litra qumësht dhe 24 mijë litra lëngje, artikuj këta bazik për menaxhim të kësaj faze.
Përveç kësaj, “Comodita” ia ka ofruar qeverisë së Kosovës edhe sasinë prej 100 mijë maskave mbrojtëse, një mijë dyshekë dhe pesë mijë jastëkë, për nevojat e karantinave të përgatitura, ose edhe situatave të tjera emergjente sipas nevojave të vendit.
” Për shkak të situatës së krijuar Koorparata Devolli ka grumbulluar pako nga dy njësitë prodhuese, fabrika e miellit M Sillosi fabrikën dhe fabrika e dyshekëve Comodita në Gjakovë. Sot është bërë shpërndarja e 150 tonë miell. Gjithashtu në bashkëpunim me minsitrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kemi rënë dakord që t’i dhurojmë Qendrës Studentore 1 mijë dyshekë, 5 mijë jastëk, 100 mijë maska mbrojtëse”, ka thënë Granita Bunari, përfaqësuese e Comodita.
Ajo ka shtuar se këto ndihma arrijnë vlerën e gjysmë milioni euro, por Devolli Corporation do të jenë të hapur për të gjitha institucionet për të vazhduar me ndihmën.
Drejtori i prodhimit në Qumështoren Vita, Ardian Jusufi, deklaroi se kanë dhuruar 24 mijë litra qumësht dhe 24 mijë litra lëngje për të qenë pranë konsumatorëve të tyre. “
Ne i kemi qëndruar afër gjithmonë qytetarëve kur kanë pasur nevojë për ndihmë edhe në këto raste po ju qëndrojmë. Apelojmë që të mos krijohet panik. Kemi sasi të mjaftueshme të qumështit për të gjithë konsumatorët tanë”, deklaroi Jusufi.
Afaristëve pejan u është bashkuar edhe Ramiz Kelmendi, president i ELKOS Group, që ndau 150 mijë kilogram miell.
“Jemi mbledhë biznesmenët e Pejës jemi bërë bashkë për të ndarë një donacion, për të gjithë qytetarët në veçanti ata që kanë nevojë, që të ua zbusim sado pak këto kërkesa për këto kushte të koronavirusit që është paraqitur”, ka theksuar Kelmendi. Ai shtoi se do të vazhdojnë edhe në komunat tjera jo vetëm në rrafshin e Dukagjinit.
Dhurimi i pakove ushqimore, vlera e të cilave është rreth 500 mijë euro, do të bëhet në vendbanimet e ndryshme të Kosovës, sipas një orari të caktuar, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë familje.
Devolli Corporation, Devolli Group dhe Elkos Group urojnë që situata e krijuar me koronavirusin të kalohet sa më shpejtë dhe sa më lehtë dhe që qytetarëve të Kosovës të mos vuajnë nga mungesat në furnizime me artikujt jetikë.



