Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka reaguar ashpër presidentit Hashim Thaçi, duke e akuzuar se me propozimin për shpalljen e gjendjen së jashtëzakonshme po dëshiron marrjen e pushtetit për shkak të egos së tij personale.
Bahtiri i ka bërë apel Kuvendit të Kosovës që me dekret mos t’ia rikthej pushtetin e humbur Thaçit me 6 tetor.
Ja postimi i Agim Bahtirit:
Propozimi i presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nuk është asgjë më shumë se sa një ego e tij personale e sëmurë për të qenë protagonist i ngjarjeve, edhe kur ato janë të dhimbshme për shtetin.
Kuvendi i Kosovës nuk duhet assesi ta aprovoj kërkesën e tij, sepse nuk është e nevojshme për momentin, pasi që Qeveria e Kosovës i ka marrë krejt masat mbrojtëse të mundshme ne kohë.
Nuk luftohen viruset ngjitëse me ushtri, por me mjekësi. Presidenti duke e shpall gjendjen e jashtëzakonshme po dëshiron marrje të pushtetit në Kosovë dhe njëkohësisht edhe marrjen e kompetencave të Qeverisë, duke synuar në fund edhe masakrimin e buxhetit të shtetit, të cilin ai së bashku me argatët e tij në mandatin e kaluar qeveritar i kishin shpenzuar të gjitha rezervat shtetërore.
Qeveria e Kosovës po bën një punë shumë të mirë brenda kapaciteteve që i ka Kosova dhe jemi shembull për marrjen e masave preventive, andaj të gjithë partnerët e koalicionit duhet të jemi unik dhe mos t’ia rikthejmë me dekret Thaçit dhe argatëve të tij pushtetin e humbur me 6 tetor.
Po ashtu, asnjë ministër nuk duhet ta nënvlerësoj punën e tij, duke iu ikur përgjegjësive.
Frikë JO, KUJDES PO!